
Yulia Navalnaya, bashkëshortja e liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexei Navalny, ka deklaruar se dy laboratorë të huaj kanë kryer analiza mbi mostra biologjike të marra nga bashkëshorti i saj dhe kanë arritur në përfundimin se ai ishte helmuar.
Navalny vdiq më 16 shkurt 2024, në moshën 47-vjeçare, në një burg në Arktik, duke i lënë opozitës ruse një boshllëk të madh.
Navalnaya ka akuzuar vazhdimisht autoritetet ruse për vrasjen e tij, akuza që Kremlini i ka cilësuar si “budallallëqe”.
Në një video të publikuar në platformën X, Navalnaya tha se mostra të materialit biologjik të bashkëshortit të saj u kontrabanduan jashtë Rusisë në vitin 2024 dhe u analizuan nga dy laboratorë në vende të ndryshme, përcjell Reuters.
“Këto laboratorë në dy shtete të ndryshme arritën në të njëjtin përfundim: Alexei u vra. Më konkretisht, ai u helmua,” u shpreh ajo.
Ajo i bëri thirrje laboratorëve të publikojnë rezultatet e plota të asaj që e quajti “e vërteta e pakëndshme”, pa specifikuar llojin e helmit që u gjet.
“Këto rezultate janë me rëndësi publike dhe duhet të bëhen publike. Të gjithë meritojmë ta dimë të vërtetën,” shtoi Navalnaya.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përgjigj shkurt mbi deklaratat e saj: “Nuk di asgjë për këto pohime dhe nuk mund të them asgjë.”
Navalny, i cili gëzonte admirimin e opozitës brenda dhe jashtë Rusisë, kishte paralajmëruar shpesh se vendi po udhëhiqej nga një regjim i brishtë kriminal.
Ai u arrestua në janar 2021, menjëherë pasi u kthye vullnetarisht në Moskë nga Gjermania, ku ishte trajtuar pas një tentative helmi me agjent nervor në Siberi.
Autoritetet ruse deklaruan vitin e kaluar se ai kishte vdekur nga “një kombinim sëmundjesh”, gjë që bashkëshortja e tij e hodhi poshtë si mashtrim.
Ndërkohë, inteligjenca amerikane ka arritur në përfundimin se presidenti Vladimir Putin nuk kishte dhënë urdhër për vrasjen e tij, sipas Associated Press dhe Wall Street Journal.
Në videon e fundit, Navalnaya përshkroi edhe momentet e fundit të jetës së burrit të saj. Ajo tha se ai u ndje i sëmurë në një qeli ushtrimesh, ku u ul në tokë duke përjetuar dhimbje të forta.
“Alexei tha se i digjej kraharori dhe stomaku. Pastaj filloi të vjellë,” tregoi ajo, duke publikuar një fotografi të qelisë ku, sipas saj, shfaqej një grumbull të vjellash në dysheme.
Navalny do të kujtohet si figura më e fuqishme opozitare e epokës së Putinit, i cili guxoi të sfidonte regjimin, pavarësisht burgosjes, gjyqeve dhe tentativave të shumta për ta eliminuar.