
Gazetarët nuk do të lejohen më të ndjekin nga afër seancat plenare në sallën dhe oborrin e Kuvendit, sipas një vendimi të ri që ka ngjallur reagime të forta.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cilësoi këtë një veprim represiv dhe të papranueshëm, duke akuzuar mazhorancën për censurë dhe përpjekje për kontroll total të informacionit.
“Pas porosisë së Ramës ‘kujdes nga gazetarët’ vjen plani për mos lejuar gazetarët në sallën dhe në oborrin ku zhvillohen seancat plenare. Një kufizim i lirisë së medias, një monopolizim me regji i ngjarjeve brenda Kuvendit nën kontrollin e mazhorancës është i dëmshëm për demokracinë”, shkroi Zhupa.
Ajo paralajmëroi se opozita do ta kundërshtojë çdo masë që rrezikon transparencën, duke theksuar se kufizime të tilla minojnë edhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi punën e deputetëve.
“Gazetarët kanë gjithë të drejtën të pyesin deputetët dhe të regjistrojnë në mënyrë të pavarur aktivitetin e seancës publike parlamentare. Në republikën e censurës të Ramës, çdo hapësirë lirie për gazetarët dhe deputetët duhet shuar. Çdo masë e tillë është represive dhe e papranueshme. Dhe ne do bëjmë gjithçka për mos e lejuar, kur liria e medias është prioritet i Bashkimit Europian dhe pjesë e clusterit të parë”, përfundoi Zhupa.