
Një dozë e ulët ditore e aspirines mund të reduktojë ndjeshëm rrezikun e rikthimit të disa llojeve të kancerit të zorrës së trashë pas operacionit, sipas një studimi të madh të udhëhequr nga studiues suedezë, përcjell Guardian.
Studiuesit në Institutin Karolinska në Stokholm zbuluan se pacientët që morën aspirin çdo ditë pas heqjes së tumorit kishin gjasa 50% më të ulëta që kanceri të rikthehej brenda tre viteve, krahasuar me ata që morën një placebo.
Ky efekt mbrojtës u vu re te pacientët që kishin mutacione të caktuara gjenetike që i bënin të ndjeshëm ndaj vetive anti-kancer të aspirines. Rreth 40% e pacientëve me kancer kolorektal mbajnë këto mutacione.
“Besoj se këto rezultate do të ndryshojnë praktikën klinike,” u shpreh prof. Anna Martling, drejtuese e studimit ALASCCA. “Nëse keni këto mutacione, rreziku që kanceri të rikthehet ulet me mbi 50%. Ky është një efekt shumë i madh.”
Çdo vit, afro 2 milionë njerëz diagnostikohen me kancer kolorektal në mbarë botën, përfshirë mbi 40 mijë raste në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë pacientë i nënshtrohen kirurgjisë për të hequr tumorin, por pavarësisht zhvillimeve në kimioterapi dhe radioterapi, kanceri mund të rikthehet nëse qelizat kancerogjene mbeten në trup.
Përmes testimeve gjenetike, studiuesit identifikuan se 37% e pacientëve në studim kishin mutacione në rrugën biologjike PI3K, e lidhur me zhvillimin e kancerit kolorektal. Pacientët me këto mutacione morën rastësisht ose 160 mg aspirin në ditë, ose një placebo për tre vite.
Rezultatet treguan se ata që morën aspirin kishin 55% më pak gjasa që kanceri të rikthehej. Efekti i aspirines besohet të vijë nga ndikimi i saj në uljen e inflamacionit, ndërhyrja në rrugën PI3K dhe frenimi i aktivitetit të trombociteve të gjakut, të cilat mund të ndihmojnë qelizat kancerogjene të shmangin sistemin imunitar.
Martling theksoi rëndësinë e testimeve gjenetike te të gjithë pacientët me kancer kolorektal, për të identifikuar ata që mund të përfitojnë nga trajtimi me aspirin, një ilaç i lirë dhe i disponueshëm gjerësisht.
Megjithatë, përdorimi afatgjatë i aspirines mbart rreziqe. Në këtë studim, katër pacientë patën efekte anësore serioze të mundshme nga aspirina, përfshirë gjakderdhje në stomak dhe tru, ndërsa një vdekje u lidh potencialisht me përdorimin e saj. Detajet janë publikuar në New England Journal of Medicine.
Dr. Catherine Elliott nga Cancer Research UK tha: “Parandalimi i kancerit shpëton jetë, dhe gjetja e mënyrave të reja për ta bërë këtë është thelbësore. Ka gjithnjë e më shumë dëshmi se, për disa grupe njerëzish, aspirina me dozë të ulët mund të ofrojë mbrojtje kundër kancerit të zorrës së trashë.”
Ajo përmendi gjithashtu studimin CaPP3, i financuar nga Cancer Research UK, që tregoi rezultate të ngjashme te personat me sindromën e trashëguar Lynch.
“Na duhen studime më të mëdha dhe cilësore, si CaPP3 dhe ky i fundit, për të përcaktuar saktë se kush përfiton më shumë nga marrja e aspirines për të jetuar jetë më të gjatë dhe më të mirë, pa frikën e rikthimit të kancerit,” përfundoi ajo.