
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, ka përgëzuar punën e SPAK nën drejtimin e kryeprokurorit Altin Dumani, duke theksuar rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në një mesazh në rrjetet sociale, ambasadori Bergner u ndal edhe te procesi i nisur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për zgjedhjen e kreut të ardhshëm të SPAK, duke bërë thirrje që ai të zhvillohet në mënyrë transparente, të mbështetur në meritë dhe të jetë i lirë nga ndikimet e jashtme.
“Në vitet e fundit, nën udhëheqjen e Altin Dumanit, SPAK ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Besimi i madh i qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë në punën e SPAK e thekson këtë në mënyrë mbresëlënëse”, shkruan Bergner.
Ai shtoi se pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të pasqyrohet jo vetëm në këtë proces por edhe në veprimet e përditshme të institucioneve ekzekutive e legjislative, është një kriter kyç për Gjermaninë në vlerësimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Procesi i nisur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të zgjedhur kreun e ardhshëm të SPAK duhet të jetë transparent, i bazuar në meritë dhe i lirë nga ndikimi i jashtëm.
Pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të demonstrohet në procesin e nisur sot, por edhe në veprimet e përditshme të organeve ekzekutive dhe legjislative, është një kriter kyç për Gjermaninë në lidhje me sundimin e ligjit dhe nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE”, shkruhet në mesazhin e ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner.