Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç falënderon Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë për informacionet mbi planin e një “Maidani” në Serbi


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka falënderuar Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) për informacionet mbi një komplot të organizuar për një “Maidan” në Serbi, duke theksuar se shërbimet serbe të sigurisë do të lidhen me homologët rusë për këtë çështje.

Faleminderit partnerëve tanë rusë për informacionin. Shërbimi ynë do të kontaktojë me ta për koordinim të mëtejshëm. Ne do ta shpëtojmë, mbrojmë dhe ruajmë Serbinë nga rreziku,” tha Vuçiç për mediat serbe gjatë vizitës së tij në Japoni, përcjell agjensia TASS.

Sipas tij, autoritetet në Serbi janë të gatshme të kundërshtojnë çdo përpjekje për grusht shteti.

Ai shtoi se Beogradi “po ndjek nga afër” deklaratat e SVR-së ruse dhe analizon gjithashtu kritikat e Moskës mbi akuzat për furnizime armësh drejt Kievit.

Të hënën, SVR publikoi një raport ku akuzonte Bashkimin Europian se po planifikon një “Maidan” në Serbi, ndërsa trazirat aktuale me pjesëmarrje aktive të të rinjve në vend, sipas Moskës, janë “në masë të madhe produkt i aktiviteteve nënversive të Brukselit”.

Protestat në Serbi janë të vazhdueshme që nga nëntori 2024, pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona. Protestuesit fajësojnë autoritetet për ngjarjen tragjike.

Termi “Maidan” sëhtë përdorur shpesh nga Rusia dhe aleatët e saj si simbol për skenarë të protestave të mëdha që synojnë ndryshimin e regjimeve, duke e paraqitur si ndërhyrje të Perëndimit për të destabilizuar vende të tjera.