
Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka reaguar pas vizitës historike të anijes komanduese USS Mount Whitney në Porto Romano javën e kaluar, duke falënderuar pjesëmarrësit në aktivitetet që u zhvilluan me këtë rast.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada thekson se përmes takimeve me partnerët në fushën e mbrojtjes mbi rolin e Shqipërisë në NATO dhe përmes performancave artistike, u tregua qartë forca e Aleancës dhe miqësisë mes dy vendeve.
“Faleminderit të gjithëve që u bashkuan me ne për të festuar vizitën historike të USS Mount Whitney në Porto Romano javën e kaluar! Nga bisedat e rëndësishme me partnerët tanë në fushën e mbrojtjes për rolin e Shqipërisë në NATO, te interpretimet mbresëlënëse të Flagship, grupit të mirënjohur muzikor të Forcave Detare Amerikane në Europë dhe Afrikë – me pjesëmarrjen e muzikantëve shqiptarë Gjergj Kaçinari dhe Blerina Braka nga Orkestra e Forcave të Armatosura Shqiptare – pamë forcën e Aleancës së NATO-s dhe miqësisë mes kombeve tona. Së bashku lundrojmë”, thuhet në reagim.

