Vendosni fjalën kyçe....

Siria dhe Izraeli afrohen drejt një marrëveshjeje sigurie nën presionin e SHBA-së


Siria po përshpejton bisedimet me Izraelin për një pakt sigurie, pas presionit të drejtpërdrejtë nga Uashingtoni, në përpjekje për të kthyer prapa disa nga territorët e humbura ndaj Izraelit, raportojnë burime të afërta me negociatat.

 Marrëveshja e mundshme nuk do të ishte një traktat i plotë paqeje, por do të synonte rivendosjen e një zone të demilitarizuar dhe ndalimin e inkursioneve izraelite.

Sipas katër burimeve të cituara nga Reuters, Shtetet e Bashkuara duan që përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në fund të këtij muaji, të arrihet progres i mjaftueshëm që Presidenti Donald Trump të shpallë një arritje diplomatike në Lindjen e Mesme.

Burime siriane dhe izraelite konfirmojnë se propozimi i Damaskut synon të sigurojë tërheqjen e trupave izraelite nga zonat e zëna muajt e fundit, rivendosjen e kufijve të armëpushimit të vitit 1974 dhe ndalimin e bombardimeve ajrore izraelite në territorin sirian.

Statusi i Lartësive të Golanit, të pushtuara nga Izraeli në vitin 1967 dhe të njohura nga Trump si territor izraelit gjatë mandatit të tij të parë, nuk është përfshirë në këto bisedime. Një burim sirian tha se kjo çështje është lënë “për të ardhmen”.

Bisedimet janë zhvilluar fillimisht në Abu Dabi dhe më pas në Baku, ndërsa raundi i fundit u mbajt në Paris, ku Siria për herë të parë pranoi publikisht kontaktet direkte me Izraelin.

Megjithatë, mungesa e besimit është e dukshme.

Siria akuzon Izraelin për shkelje të marrëveshjeve me inkursionet në jug të vendit, ndërsa Izraeli kërkon garanci për kufizimin e ndikimit iranian dhe të grupeve të armatosura si Hezbollah.

Pozitat e Izraelit janë forcuar nga trazirat në rajonin e Suvejdas, ku akuzohet ushtria siriane për ekzekutime të civilëve druza. Sipas burimeve, Izraeli ka armatosur dhe mbështetur milicitë lokale druze për rol mbrojtës, duke krijuar presion të mëtejshëm mbi Damaskun.

Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa po tenton të gjejë ekuilibër mes nevojës për një marrëveshje që do të sigurojë stabilitet dhe kërkesave të opinionit publik kundër çdo kompromisi me Izraelin.

Një ish-diplomat turk, Erdem Ozan, tha për Reuters se Sharaa mund të bëjë lëshime pragmatike për të siguruar ndihma ekonomike dhe mbështetje për rindërtimin, por rrezikon të humbasë legjitimitetin e brendshëm nëse prek çështje të tilla si Golan ose centralizimi i pushtetit.

Negociatat pritet të vazhdojnë në ditët e ardhshme, ndërsa Trump synon ta paraqesë çdo progres si një sukses të ri në politikën e jashtme amerikane.