
Shqipëria shënon sot një tjetër hap në procesin e anëtarësimit në BE, me zhvillimin në Bruksel të Konferencës së 6-të ndërqeveritare. Në këtë takim, që nis në orën 08:00, pritet hapja e katër kapitujve të rinj të Grupkapitullit IV: Politika e transportit, Energjia, Rrjetet trans-evropiane, si dhe Mjedisi e ndryshimet klimatike.
Konferenca bashkëdrejtohet nga ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, dhe kryeministri Edi Rama, i cili pas takimit do të mbajë një konferencë për shtyp me Bjerre dhe komisioneren për zgjerim, Marta Kos.
Shqipërisë i shtohen edhe 4 kapituj të rinj në procesin e negociatave me BE, duke e çuar në 28 numrin e kapitujve të hapur brenda më pak se një viti, ritëm që kryeministri Rama e ka cilësuar si “rekord absolut”.
Aktualisht janë hapur 4 nga 6 grupkapitujt kryesorë, ndërsa konferenca e radhës më 2 tetor do të fokusohet tek grupkapitulli i fundit, “Bujqësia dhe Kohezioni”.