Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthimi i 2020-ës në portin e Bejrutit, arrestohet pronari i anijes që transportoi nitratin e amonit


Pronari rus i anijes i lidhur me shpërthimin në portin e Bejrutit në vitin 2020 është arrestuar në Bullgari.

Një pronar anijeje në kërkim për shpërthimin e vitit 2020 në portin e Bejrutit ,që vrau më shumë se 220 persona është arrestuar në Bullgari, thanë zyrtarët të martën.

Igor Grechushkin është një nga tre personat e kërkuar nga Interpoli dhe i lidhur me një ngarkesë nitrat amoniumi që shpërtheu në port, duke plagosur mbi 6,500 njerëz dhe duke shkatërruar pjesë të mëdha të kryeqytetit libanez, shkruan Ynet.

Fatkeqësia e 4 gushtit 2020 ishte një nga shpërthimet më të mëdha jo-bërthamore në botë.

Autoritetet e Bejrutit e identifikuan Grechushkin, një shtetas 48-vjeçar ruso-qipriot, si pronarin e Rhosus, anijes që transportonte nitratin e amonit.

“Ai është vendosur në paraburgim për një kohëzgjatje maksimale prej 40 ditësh me një vendim gjykate më 7 shtator, të konfirmuar në apel”, tha një zëdhënëse e gjykatës së qytetit të Sofjes për AFP-në.

Autoritetet që kërkojnë ekstradim kanë 40 ditë për të dërguar dokumentet e nevojshme për të kryer një veprim të tillë, sipas ligjit bullgar.

Anija Rhosus, një anije mallrash me flamur moldav që lundronte nga Gjeorgjia për në Mozambik, mendohet se e ka sjellë plehun në Bejrut në vitin 2013. Pasi mbërriti në Liban, Rhosus u përball me “probleme teknike” dhe zyrtarët e sigurisë thanë se u sekuestrua pasi një kompani libaneze ngriti një padi kundër pronarit të saj.

Autoritetet portuale shkarkuan nitratin e amonit dhe e ruajtën atë në një depo të rrënuar portuale me çarje në muret e saj, sipas zyrtarëve. Anija Rhosus u fundos në portin e Bejrutit në vitin 2018.