Vendosni fjalën kyçe....

Opozita dërgon në Kushtetuese dekretin e presidentit për “Diellën”dhe ndryshimin e rregullores së Kuvendit



Opozita ka paralajmëruar nisjen e një beteje ligjore në Gjykatën Kushtetuese kundër dekretit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për krijimin e Ministrisë Virtuale dhe emërimin e Diellës si ministre, si dhe ndaj vendimit të sotëm të Kuvendit për ndryshimin e rregullores, i miratuar vetëm nga shumica.

Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi ashpër Presidentin Begaj për atë që ai e cilësoi si “një akt të pashembullt” dhe “shkelje të rëndë të Kushtetutës”.

“Presidenti dekreton një ministre virtuale, inekzistente, duke fyer Kushtetutën, vendin dhe institucionin që përfaqëson. Ai vepron si skllav i Edi Ramës, i cili është i implikuar thellë në vjedhjen dhe shpërdorimin e pronave të ushtrisë,” – deklaroi Berisha.

Sipas tij, ky dekret synon të mbulojë një “kabinet të farsës elektorale”, ndërsa paralajmëroi se do të kërkohet urgjentisht shpallja antikushtetuese e këtij akti nga Gjykata Kushtetuese.

Pak ditë më parë, Presidenca reagoi duke sqaruar se Presidenti Begaj ka dekretuar vetëm Edi Ramën si Kryeministër, duke e ngarkuar me përgjegjësinë për krijimin dhe funksionimin e Ministrisë Virtuale, në përputhje me nenet përkatëse të Kushtetutës dhe ligjit për organizimin e Këshillit të Ministrave.

Berisha njoftoi gjithashtu se do të ankimohet në Kushtetuese edhe vendimi i Kuvendit për ndryshimin e rregullores, që riorganizon komisionet parlamentare. Sipas tij, ndryshimi është bërë me procedurë të përshpejtuar, duke e miratuar për vetëm një ditë, çka sipas Kushtetutës përbën shkelje, pasi kërkohet minimalisht një afat 7-ditor për shqyrtim.

“Janë shkelur parimet themelore të Kushtetutës, nenet e saj dhe vetë rregullorja e Kuvendit. Kjo nuk është një reformë, por një uzurpim,” – u shpreh Berisha, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit të sotëm.

Në të njëjtën mbledhje, grupi parlamentar demokrat miratoi edhe emrat që do të drejtojnë katër komisionet që i takojnë opozitës sipas strukturës së re parlamentare. Emrat konkretë pritet të bëhen publikë në ditët në vijim.

Në fund të fjalës së tij, Sali Berisha foli edhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar qeverinë aktuale si pengesën kryesore për ecjen përpara të vendit në këtë drejtim. Ai theksoi se pa ndëshkueshmëri dhe pa respekt për ligjin, integrimi europian mbetet një premtim bosh.