
Një komision hetimor i Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se Izraeli ka kryer gjenocid ndaj popullsisë palestineze në Gaza.
Raporti i ri thekson se ekzistojnë baza të mjaftueshme për të konkluduar se katër nga pesë veprat gjenocidale të përcaktuara nga ligji ndërkombëtar janë kryer që nga fillimi i luftës me Hamasin në 2023: vrasja e anëtarëve të një grupi, shkaktimi i dëmtimeve serioze fizike dhe mendore, krijimi i kushteve të qëllimshme për shkatërrimin e grupit dhe pengimi i lindjeve.
Raporti citon deklaratat e udhëheqësve izraelitë dhe sjelljen sistematike të forcave izraelite si prova të qëllimit gjenocidal, përcjell BBC.
Ministria e Jashtme izraelite e ka refuzuar kategorikisht raportin, duke e quajtur “të deformuar dhe të rremë”.
Forcat izraelite kanë nisur një ofensivë në Gaza pas sulmit të paprecedent të Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj jugut të Izraelit, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 u morën peng.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamas në Gaza, të vdekurit nga sulmet izraelite arrijnë të paktën 64,964.
Shumica e popullsisë është zhvendosur, më shumë se 90% e shtëpive janë dëmtuar ose shkatërruar, dhe sistemet e shëndetësisë, ujit, higjienës dhe furnizimit me ushqim janë rrënuar.
Komisioni Ndërkombëtar i Pavarur i OKB-së për Territorin e Okupuar Palestinez, i themeluar në 2021 nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ka konstatuar më parë se Hamas dhe grupet e tjera palestineze kryen krime lufte më 7 tetor 2023, ndërsa forcat izraelite kryen krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Gaza.
Raporti 72-faqesh përshkruan se autoritetet dhe forcat izraelite kanë kryer katër nga pesë veprat gjenocidale sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948:
Vrasja e anëtarëve të grupit përmes sulmeve ndaj civilëve dhe objekteve të mbrojtura.
Shkaktimi i dëmtimeve serioze fizike dhe mendore përmes sulmeve sistematike dhe trajtimit të keq të të burgosurve.
Krijimi i kushteve jetese të qëllimshme për shkatërrimin e grupit, përfshirë shkatërrimin e strukturave, bllokimin e ndihmave, ujit, energjisë dhe shërbimeve mjekësore.
Masat për të penguar lindjet, përfshirë sulmin ndaj klinikës më të madhe të fertilitetit në Gaza në dhjetor 2023, ku u shkatërruan rreth 4,000 embrione dhe 1,000 mostra sperme dhe vezë të pa fekonduara.
Kryetarja e komisionit, Navi Pillay, ish-udhëheqëse e të drejtave të njeriut në OKB dhe presidente e tribunaleve për gjenocidin në Ruandë, tha se qëllimi gjenocidal ishte inferenca më e arsyeshme nga veprimet e forcave izraelite dhe deklaratat e udhëheqësve politikë dhe ushtarakë.
Komisioni përmend se veprimet e udhëheqësve izraelitë, duke përfshirë Presidentin Isaac Herzog, Kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ish-Ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, kanë “nxit gjenocidin” përmes deklaratave publike.
Raporti gjithashtu thekson përgjegjësinë e shtetit izraelit për mosparandalimin, kryerjen dhe mosdënimin e gjenocidit, duke paralajmëruar se vendet e tjera kanë një obligim të menjëhershëm sipas Konventës së Gjenocidit për ta parandaluar dhe ndëshkuar këtë krim.
Izraeli ka akuzuar komisionin për shërbim ndaj Hamasit dhe e ka cilësuar raportin si të pabazuar.
Sipas zyrtarëve izraelitë, operacionet ushtarake janë bërë në vetëmbrojtje dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duke marrë masa për të minimizuar dëmet ndaj civilëve.
Ndërkohë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shqyrton një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut që akuzon Izraelin për gjenocid, por vendimi mund të marrë vite për t’u dhënë.