
PD i kërkon prokurorisë të hetojë vdekjen e 43-vjeçarit Bardhyl Kaloshi, i cili humbi jetën tragjikisht para pak ditësh pasi preku një shtyllë dritash në rrugë.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun për PD-në e Durrësit deklaroi se vdekja e Kaloshit nuk është një aksident i rastësishëm, por vrasje shtetërore e krim institucional për të cilin duhet të ketë përgjegjësi.
“Ngjarja e rëndë që ndodhi në qytetin tonë, ku humbi jetën tragjikisht 43-vjeçari Bardhyl Kaloshi, babai i tre fëmijëve, ka tronditur çdo qytetar të Durrësit. Humbja e jetës së tij nuk është një aksident i rastësishëm. Është një vrasje shtetërore, një krim institucional, i shkaktuar nga shpërfillja dhe papërgjegjshmëria e institucioneve.” – tha Kapidani.
Ajo shtoi më tej se banorët e zonës dhe mediat online kishin denoncuar prej ditësh rrezikun nga shtylla në fjalë por asnjë masë nuk u mor.
“Shtyllat elektrike janë pronë e shtetit. Banorët e zonës kishin ditë të tëra që kishin denoncuar rrezikun e shtyllës me qark elektrik. Por asgjë nuk u bë. Kjo tragjedi ndodhi në një kohë kur qytetarët e Durrësit po vuanin pasojat e përmbytjeve, dhe mbi dhimbjen e tyre u shtua edhe kjo humbje e rëndë. Ky nuk është një rast i izoluar. Në vitin 2015, një adoleshent vetëm 15 vjeç humbi jetën në të njëjtën mënyrë. Historia po përsëritet, viktimat shtohen, por shteti nuk reagon.” – shtoi ajo.
Në fund përfaqësuesja e PD-së tha se deri tani për ngjarjen e rëndë nuk ka pasr asnjë reagim as nga kryebashkiakja Sako apo OSHEE ndërsa i bën thirrje prokurorisë të hetojë vdekjen e babit të tre fëmijëve dhe të çojë para drejtësisë përgjegjësit.
“Përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë reaguar që në momentin e parë, duke ngritur zërin për këte krim shtetëror. Ky është një denoncim i radhës, sepse për fat të keq kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por një dramë e përsëritur që tregon qartë degradimin institucional. Ndërkohë, deri në këtë moment, nuk kemi parë asnjë reagim nga Bashkia Durrës, kryetarja Emirjana Sako, apo OSHEE. Heshtja e tyre është tregues i qartë i papërgjegjshmërisë dhe i bashkëfajësisë institucionale. Partia Demokratike Dega Durrës i bën thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet. Përgjegjësia politike bie mbi kryeministrin Edi Rama, ministren Belinda Balluku dhe kryetaren e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako. Askush nuk mund të fshihet pas heshtjes. Ne kërkojmë drejtësi për Bardhyl Kaloshin dhe familjen e tij. Kjo tragjedi nuk duhet të mbetet pa përgjegjësi. Jeta e qytetarëve nuk mund të jetë më viktimë e paaftësisë dhe shpërfilljes së shtetit.” – mbylli deklaratën Kapidani.