
Fermerët e fshatit Samaticë në Dimal janë ankuar për mungesën e tregut për shitjen e mallit që kanë prodhuar. Ata kanë bërë përgjegjëse për gjendjen e rëndë femërrët që abuzojnë me pesticide dhe institucionet shtetërore që nuk ushtrojnë kontrollin e duhur.
Tonelata të tëra me domate, kastravecë e fruta-perime të tjera kanë ngelur të bllokuara në pikat e grumbullimit. Ata thonë se shkak për këtë janë bërë bllokimet e fundit të sasive me domate e speca të bllokuara në Kroaci e Slloveni.
“Kemi investuar shume, nuk po e shesim dot mallin as me çmim minimal, Prodhimet po na kalben, po i hedhim në kanal”, tha një fermer, ndërsa një tjetër hedh akuza ndaj fermerëve që kanë abuzuar me pesticidet, shkruan BW.
Fermeri Marjo Bregu nuk e mohon faktin e abuzimit nga fermerë të ndryshëm në përdorimin e pesticideve të ndaluara apo dhe mbidozë pesticidesh, duke theksuar që për shkak të tyre bujqësia ndodhet në pikët kritike të saj.
“Për faj të tyre nuk na e blejnë mallin”, thotë ai.
Për këtë gjendje të rëndë, fermerët hedhin akuza edhe ndaj institucioneve shtetërore, të cilat sipas tyre nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur imazhin e bujqësisë shqiptare dhe për të ndihmuar fermerët në gjetjen e tregjeve alternative. Ata kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave përkatëse për të shmangur falimentimin e tyre të sigurt.