Vendosni fjalën kyçe....

KLP hap garën në 17 shtator për drejtuesin e ri të SPAK


Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të hapë garën për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 17 shtator.

Mandati 3-vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon në 16 dhjetor 2025, pasi këtë detyrë e mori më 16 dhjetor 2022.

Sipas ligjit, prokurorët e SPAK nuk kanë të drejtë të rizgjidhen në krye të institucionit dy mandate rresht.

Për këtë arsye, në mbledhjen e datës 17 shtator të KLP-së, do të shpallet gara për drejtuesin e ri të SPAK-ut.

Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Drejtësisë, Projektit Eu4Justice dhe Programi OPDAT.

Prokurorët e posaçëm, të cilët synojnë të marrin drejtimin e SPAK, do të duhet që të paraqesin programin e tyre. Pas intervistave publike dhe shqyrtimit të kandidaturave, anëtarët e KLP-së do të votojnë për përzgjedhjen e tij.

Altin Dumani është drejtuesi i dytë i Prokurorisë së Posaçme që prej krijimit të këtij institucioni, duke pasuar Arben Krajën.

Pas largimit nga drejtimi i SPAK, Altin Dumani do të vijojë të jetë prokuror i kësaj strukture.

Mandati i prokurorëve të SPAK është 9-vjeçar.

Njoftimi i KLP:

Informacion mbi mbledhjen:

Dita/Data:                                          E Mërkurë, 17.09.2025

Ora:                                                    10.00

Kohëzgjatja:                                      ⸟ 90 minuta

Thirrur nga:                                     Kryetari i Këshillit

Pjesëmarrësit:                                    Anëtarët

Kuorumi i nevojshëm:                      7 anëtarë

Kjo mbledhje do të organizohet në sallën e mbledhjeve në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT. Media është e ftuar të jetë e pranishme.

Rendi i ditës:

  1. Miratimi i Procesverbalit të mbledhjes plenare të datës 04.09.2025;
  2. Diskutimi/miratimi i Projekt-vendimit “Për shpalljen e vendit vakant për Drejtues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”;
  3. Diskutimi/miratimi i “Projektraportit të Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Françesk Ganaj”;
  4. Diskutimi/miratimi i “Projektraportit të Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Ermira Manelli”;
  5. Diskutimi/miratimi i “Projektraportit të Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Hysni Mulaj”.