Vendosni fjalën kyçe....

Diella në dritë të Diellit


Nga Klodian Tomorri

Një nga gjërat më të habitshme dhe më të pashpjegueshme në këtë botë, është fuqia e pafundme e propagandës.
Kjo mund të kuptohet në shoqëritë e mbyllura. Mund të kuptohej para 100 viteve, kur informacioni ishte i kontrolluar. Por sot që informacioni dhe dija janë demokratizuar në çdo cep të planetit, ky mbetet një mister i madh.

Shikoni çfarë bëhet! Del kryeministri i Shqipërisë dhe thotë se ne kemi shpikur të parët në botë një soft që do të menaxhojë të gjithë tenderat. Kjo tani merret dhe bëhet lajm në të gjitha mediat shqiptare, por edhe në mediat më të mëdha të botës.
Niveli i debilizmit kolektiv arrin majat, kur BBC-ja bën kronikë që qeveria britanike duhet të kopjojë Shqipërinë dhe të fusë inteligjencën artificiale tek procedurat e prokurimit.

Askush nuk bën disa pyetje shumë të thjeshta:

Ore, sa e avancuar është Shqipëria në teknologjinë e informacionit?

Çfarë niveli inovacioni ka ekonomia shqiptare?

Si ka mundësi që nuk e shpiku Amerika këtë softin dhe të zhdukte korrupsionin në tendera dhe qeverisje?

Si ka mundësi që Mirlinda e AKSHI-t, e cila është ekzekutivja e vetme në botë që nxori të gjitha të dhënat e qytetarëve të saj në pazarin e gjësë së gjallë, gjunjëzoi Bill Gates-in, Zuckerberg-un, Elon Musk-un, Sam Altman-in etj.?

Si ka mundësi që Shqipëria e Edi Ramës, e cila nuk prodhon dot as stilolapsa dhe shkrepse, arrin të bëjë shpikjen më të madhe të shekullit duke i dhënë zgjidhje problemit më të madh të qeverisjes në botë?

Dhe e fundit fare: a mund të shpikë një nga qeveritë më të korruptuara të Europës ilaçin e korrupsionit?

Askush nuk i bën këto pyetje. Sepse ne i kemi shndërruar në idhuj këto mediat e huaja. Por ja, këtë nivel kanë edhe këta. Nuk është se vijnë nga Marsi.

Tani, kjo historia e “Diellës” është shumë e thjeshtë. E para u hodh për propagandë, që qeveria dhe kryeministri të kapnin disa tituj në mediat botërore.

E dyta dhe më e rëndësishmja, ka një bisht të madh nga pas.

Është një projekt prej rreth 180 milionë eurosh, që po negociohet me Bankën Botërore dhe Bashkimin Europian për investime në IT.

Deri para ca kohësh e pati negociuar ai Myzyri i KPP-së, por pasi e mori SPAK-u dhe e futi në dollap, ngeci pak.

Prandaj po bëhet kjo. Do të rrëzohen ato 180 milionë eurot.

Dhe në fund bëhet edhe një pyetje tjetër: Linda e AKSHI-t, ça di të bëjë më mirë?

Të shpikë gjëra që mahnisin botën apo të rruaje lekë?

Se kuzhinieri gatuan vetëm gjellën që di të bëjë. Dhe kjo vetëm këtë të dytën di ta bëjë mirë.

Të besosh që bëri shpikjen e shekullit një institucion, ku po merren njerëzit peng, kjo është fuqia e jashtëzakonshme e propagandës.