Vendosni fjalën kyçe....

Dhunohen barbarisht me shkopinj të moshuarit në Finiq: Pamë tmerr, na grabitën 2 mijë euro


Spiro dhe Dhespo Kalivioti, janë dy të moshuarit e dhunuar në Finiq të Vlorës nga dy persona ende të paidentifikuar që hynë në banesën e tyre të dielën në darkë për të grabitur.

Me hematoma e të çara të rënda në kokë e trup, për Report Tv Dhepso Kalivioti dhe bashkëshorti i Saj Spiro, kanë treguar makthin e një nate më parë, teksa u dhunuan brutalisht me shkopinj nda dy djem për 200 mijë lekë të reja.

E moshuara tregon të nxirat në trup dhe çarën të kokë që ka marrë nga goditjet me shkop, si dhe bashkëshorti i saj i cili është dhunuar gjithashtu.

“Unë jam dhe si kryeplak i fshatit. U angazhova te tokat, u jap lekët dhe më japin tokat për t’i mbajtur. I kam bashkë me 2-3 vëllezër nga Skrapari. Lekët fshatarëve ua jap unë, por ishin 5-6 vetë që nuk kishin ardhur nga Greqia, dhe lekët e tyre janë ata që kanë gjetur në shtëpi.  Është dikush që i di të gjitha”, është shprehur Spiro Kalivioti.

Prej shumë vitesh, çifti Kalivioti ruanin paratë e qirave që u dorëzonin çobanët që kujdeseshin për tokat e vendasve që jetonin jashtë shteti e ktheheshin në vendbanimin e tyre në periudha sezonale. Grabitësit kanë pasur dijeni për këtë aktivitet.

Përpara mbrëmjes së të dielës, njëri prej tyre ka hyrë fshehurazi në shtëpinë e tyre dhe të premten në mbrëmje duke kontrolluar sirtarët e dhomës.

“Një trup i hollë i maskuar, fytyrë e pastër kingu, me një veshje të zezë, me një rrip me stampë. Nuk ka gjë më të keqe, atë torturë që kemi kaluar në mbrëmë. Nuk kemi pasur asnjëherë problem me fshatarët.

Kanë ardhur të premten në darkë. Ne po flinim., ata kishin ardhur më para te dhoma. Kishte hapur komodinën. Kur hapi sirtarin te pasqyra aty u zgjuam. Burri kthen kokën i thotë ‘çfarë bën ti atje?’. Ai ikën si era nuk u kuptua nga iku.

Të djelën në darkë na vijnë dy veta. Kanë hyrë nga dritarja. Të dytin më të shkurtrin më të voglin e mbante nga mbrapa mos t’i shikonim fytyrën. U çua burri i tha ‘çfarë kërkoni?’ ‘na jepni lekët’ tha, Më jep mua një shkop në kokë. S’kemi lekë thamë ne, ata na thanë që e dimë që ju punoni dhe që keni lekët nga Skrapari pa dhënë. Na binin me shkop vazhdimisht. Na jepmi lekët që t’ju lëmë. Kemi 30 vjet që merremi me këtë punë.

Që nga ora 11:30 e deri nga ora 12:30 kanë qenë brenda. Gjetën ca lekë. Ato lekë i thash i kam për të paguar ustallarët, të tjerat i thashë janë të fshatarëve që nuk kanë ardhur nga Greqia.

Më kanë nxirë, shiko se çfarë më kanë bërë me shkop. Shkuan të qëllonin burrin, e shtypa dhe hëngra unë shkopin këtu te krahu.

Që të lajmëroja policinë nuk kisha telefon se na i morën. I kish 3 telefona në komodinë, na i morën ato. Erdhi policia… Ata ishin të maskuar. Atë e mbajti të fshehur mbrapa, na rrahu ne njëherë dhe i tha kalo dhe kontrolloji. Kishin pistoletë. 

I thash që në shtëpi nuk kishim armë. E kthyen shtëpinë tmerr”, ka rrëfyer Dhespo Kalivioti.

Spiro dhe Dhespo Kalivioti kërkojnë që shteti të gjejë dhe dënojë autorët. Fshati është i banuar vetëm nga të moshuarit, pasi të rinjtë janë në emigrim. Ngjarje të tilla lënë pas frikë dhe tmerr tek gjithë komuniteti.