Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i PD-së: Rama dhe Xhaçka sapo dhanë një tender 1,5 milionë euro


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka akuzuar qeverinë se nuk e ka mendjen tek qytetarët në këtë krizë të shkaktuar nga koronavirusi, por tek tenderat.

Ai ka denoncuar faktin se kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka kanë dhënë një tender 1.5 milion euro, në një kohë kur qytetarët nuk kanë se çfarë të hanë pasi u është vonuar me 1 muaj tenderi për blerjen e ushqimeve.

Alibeaj thotë se qeveria e nisi dhënien e ndihmave për qytetarët vetëm dhjetë ditë pas presionit të opozitës, e sipas tij Rezervat e Shtetit nuk kanë ushqime rezervë për qytetarët.

“Të dashur shqiptarë, nga data 12 Mars 2020, Partia Demokratike i ka bërë thirrje Qeverisë që të sigurojë ushqime dhe ndihma për familjet në nevojë dhe pensionistët e vetmuar në këtë situatë të rënduar.

Ministria e Mbrojtjes drejton Rezervat e Shtetit dhe vetëm pas presionit të Opozitës dhe qytetarëve, 10 ditë pas fillimit të krizës, filloi shpërndarjen e ndihmave, në mënyrë selektive, si të ishit njëri i nënës, tjetri i njerkës. Qeveria bën propagandë me Rezervat e Shtetit se ka furnizim për 3 muaj me ushqime. Gënjen!

Të dashur shqiptarë, rezervat e shtetit kanë zero ushqim për ju! Nuk e kanë mendjen te ju! Nuk u duhet fare, nëse frigoriferin e keni plot apo bosh, nëse keni ilaçe, nëse ju ngelin lekë për të paguar dritat apo ujin, jo! E kane mendjen si të vjedhin, si të ndajnë paratë tuaja me miqtë dhe oligarkët. Ju jeni pa bukë, Edi Rama dhe Olta Xhaçka sapo dhanë nje tender 1,5 milion euro.

Alo Edi, Alo Xhaçka, Dilni jepni shpjegime pse u vonua 1 muaj tenderi për blerjen e ushqimeve! Si u përzgjodh kompania fituese e tenderit, me apo pa garë? Kush e fitoi tenderin? Në pritje të përgjigjeve nga Alo Qeveria!”– deklaroi  Alibeaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *