Vendosni fjalën kyçe....

Rama për Farage: Ka thënë se do të vijë për vizitë, mbase e bindim ta zgjedhë Shqipërinë si destinacion për pushime


Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj deklaratave të Nigel Farage, liderit të Reform UK, i cili pretendoi se “1 në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg”.

Në një intervistë për radion britanike Times Radio, Rama i cilësoi këto si pjesë të një fushate mashtruese ndaj qytetarëve britanikë.

Ai theksoi se shqiptarët kontribuojnë në jetën dhe ekonominë britanike dhe e ftoi Farage të vizitojë Shqipërinë për të parë realitetin nga afër.

“Nuk ka një numër të lartë të shqiptarëve të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar që të veçohen nga totali i të burgosurve apo nga shtetasit e vendeve të tjera. Këto janë pjesë të një mozaiku më të gjerë gënjeshtrash dhe argumentesh mashtruese që iu servirën qytetarëve britanikë për t’i bindur të dalin nga Bashkimi Evropian.

Ku do t’i gjeni njerëzit për të ndërtuar shtëpitë tuaja, për t’ju shërbyer kafen, për të drejtuar taksitë dhe kamionët tuaj.

Ai ka thënë se do të vijë për një vizitë, dhe unë do të jem shumë i lumtur ta takoj. Është një mundësi e mirë për të njohur nga afër një njeri me shumë talent e inteligjencë, pavarësisht nga teatraliteti i tij politik, dhe për t’i treguar bukuritë e Shqipërisë. Mbase e bindim ta zgjedhë Shqipërinë si destinacion për pushimet e tij”, përfundoi Rama.