Vendosni fjalën kyçe....

Administrata Trump do lidhë vaksinat kundër Covid-19 me vdekjen e 25 fëmijëve


Zyrtarët e shëndetësisë së administratës Trump planifikojnë të lidhin vaksinat kundër Covid-19 me vdekjen e 25 fëmijëve, ndërsa po shqyrtojnë kufizimin e numrit të amerikanëve që duhet të marrin vaksinat, sipas katër personave të njohur me atë që po ndodh, të cilët folën me kusht anonimiteti.

Gjetjet duket se bazohen në informacionin e paraqitur në Sistemin Federal të Raportimit të Ngjarjeve të Padëshiruara të Vaksinave (VAERS), i cili përmban raporte të efekteve anësore ose përvojave të këqija me vaksinat e paraqitura nga kushdo, përfshirë pacientët, mjekët, farmacistët apo edhe dikush që sheh një raport në mediat sociale.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve theksojnë se baza e të dhënave nuk është projektuar për të vlerësuar nëse një vaksinë shkaktoi një vdekje, një përfundim që kërkon hetime të hollësishme nga shkencëtarët dhe profesionistët e shëndetit publik.

Zyrtarët e shëndetësisë së Trump planifikojnë të përfshijnë pretendimin për vdekjet pediatrike në një prezantim javën e ardhshme para një paneli këshilltarësh të CDC-së që po shqyrton rekomandimet e reja për vaksinat kundër koronavirusit Covid-19.

Planis ka alarmuar disa shkencëtarë të cilët thonë se vaksinat kundër koronavirusit janë studiuar gjerësisht, përfshirë edhe tek fëmijët, dhe se rreziqet e vetë virusit po nënvlerësohen. Ndërsa zyrtarët shëndetësorë të Trump po hetojnë vdekjet për shkak të vaksinave, stafi i CDC-së në qershor i paraqiti të dhëna të njëjtit komitet vaksinash që tregojnë se të paktën 25 fëmijë vdiqën që kishin pasur shtrime në spital të lidhura me Covid që nga korriku 2023.

Komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Barnave, Marty Makary, konfirmoi në CNN javën e kaluar se zyrtarët po hetonin raportet e vdekjeve të mundshme të fëmijëve nga vaksina, duke përfshirë shqyrtimin e raporteve të autopsisë dhe intervistimin e familjeve. Një shqyrtim i tillë mund të zgjasë me muaj, sipas zyrtarëve të shëndetësisë, dhe nuk është e qartë se kur filluan këto hetime.

Prezantimi i vdekjeve pediatrike para Komitetit Këshillimor të CDC-së për Praktikat e Imunizimit (ACIP) nuk është përfundimtar, sipas një personi të njohur me çështjen, i cili foli me kusht anonimiteti. Metodologjia e plotë për analizën nuk ishte menjëherë e qartë.

“Stafi i FDA-së dhe CDC-së analizon rregullisht të dhënat e VAERS dhe të dhënat e tjera të monitorimit të sigurisë, dhe këto rishikime po ndahen publikisht përmes procesit të vendosur ACIP,” tha zëdhënësi i HHS, Andreë Nixon, në një email.

“Çdo rekomandim mbi vaksinat e përditësuara Covid-19 do bazohet në shkencën standarde dhe do diskutohet në mënyrë transparente në ACIP javën e ardhshme.”

FDA në gusht miratoi vaksinat më të fundit të koronavirusit për njerëzit e moshës 65 vjeç e lart ose që kanë faktorë rreziku për sëmundje të rëndë, por paneli i vaksinave i CDC-së mund të rekomandojë vaksinat te një grup më i ngushtë. Komiteti po shqyrton një plan për të rekomanduar vaksinën për ata 75 vjeç e lart, por do udhëzojë njerëzit që janë më të rinj të flasin me një mjek para se të marrin vaksinën, sipas dy personave të njohur me çështjen që folën me kusht anonimiteti. Një tjetër mundësi nuk do e rekomandonte vaksinën për njerëzit që nuk kanë sëmundje të mëparshme dhe që janë nën moshën 75 vjeç, thanë njerëzit.

Por kufizimi i qasjes për njerëzit e moshës 65 deri në 74 vjeç ka ngritur shqetësime në lidhje me një reagim të ashpër politik, tha një zyrtar federal i shëndetësisë i cili foli me kusht anonimiteti duke qenë se bëhet fjalë për biseda private. Sipas vlerësimeve të CDC-së, gati 43 përqind e njerëzve në atë grupmoshë, si dhe 13 përqind e fëmijëve, morën versionin 2024-2025 të vaksinës kundër koronavirusit.

Shumë vende nuk rekomandojnë vaksinimin vjetor kundër koronavirusit për fëmijët e shëndetshëm sepse ata rrallë vdesin nga Covid dhe shumica përjetojnë simptoma të lehta. Zyrtarët amerikanë i kanë justifikuar vaksinat vjetore bazuar në të dhënat që tregojnë se foshnjat dhe fëmijët e vegjël përballen me rrezik të lartë të shtrimit në spital dhe se një pjesë e konsiderueshme e atyre që u shtruan në spital nuk kishin sëmundje themelore. Ata gjithashtu kanë thënë se vaksinat u ofrojnë fëmijëve mbrojtje kundër Covid të zgjatur.

Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., një kritik i hershëm i vaksinave kundër koronavirusit, në maj u dha udhëzime zyrtarëve të shëndetësisë që të ndalonin rekomandimin e vaksinave për fëmijët e shëndetshëm. CDC më vonë i udhëzoi prindërit të këshilloheshin me një mjek para se t’u bënin fëmijëve të tyre vaksinat kundër koronavirusit. Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon vaksina vjetore kundër koronavirusit për të gjithë fëmijët e moshës 6 muaj deri në 23 muaj dhe për fëmijët më të rritur nëse prindërit e miratojnë.

Takimi i panelit këshillues për vaksinat javën e ardhshme është kritik sepse rekomandimet përcaktojnë nëse siguruesit duhet të paguajnë për imunizimet, nëse farmacitë mund t’I bëjnë ato dhe nëse mjekët do mund jenë të gatshëm t’i ofrojnë ato. Kennedy spastroi anëtarësinë e panelit në fillim të këtij viti dhe emëroi të zgjedhurit e tij, shumica e të cilëve kanë kritikuar politikën e vaksinimit kundër koronavirusit. Ai po shqyrton shtimin e kritikëve shtesë të vaksinave kundër Covid në komitet.

Paneli i mëparshëm i vaksinave po shqyrtonte tashmë një qasje më të synuar ndaj vaksinimit kundër koronavirusit, duke rekomanduar vaksinën për grupet me rrezik të lartë, por duke u lejuar të tjerëve, përfshirë fëmijët, të merrnin vaksinën nëse dëshironin.

Tracy Beth Hoeg, një nga zëvendëset kryesore të Makary, e cila ishte kritike e vaksinimit të gjerë kundër koronavirusit të fëmijërisë përpara se t’i bashkohej FDA-së, ka qenë një nga zyrtarët që shqyrtojnë të dhënat e sigurisë së vaksinave, sipas pesë personave të njohur me çështjen, të cilët folën me kusht anonimiteti. Prezantimi i planifikuar i vdekjeve pediatrike përfshinte përpjekje për të intervistuar disa familje, por nuk është e qartë se çfarë informacioni tjetër është përdorur. Disa nga të njëjtat familje ishin intervistuar më parë nga zyrtarët e CDC-së si pjesë e gjurmimit të sigurisë së vaksinave, sipas një personi të njohur me çështjen.

Sipas kompanisë Moderna, një nga dy prodhuesit e vaksinave të koronavirusit mRNA, hulumtimet nga e gjithë bota tregojnë se përfitimet i tejkalojnë rreziqet.

“Me më shumë se një miliard doza të shpërndara globalisht, këto sisteme – në SHBA, Australi, Kanada dhe në të gjithë sistemet shëndetësore kombëtare evropiane – nuk kanë identifikuar ndonjë shqetësim të ri ose të pazbuluar për sigurinë tek fëmijët ose tek gratë shtatzëna”, tha kompania në një deklaratë pas publikimit të këtij shkrimi.

Harleen Marëah, një pediatre në Qendrën për Fëmijë Mass General Brigham, e cila kohët e fundit shqyrtoi të dhënat mbi vaksinën kundër koronavirusit dhe sigurinë dhe efikasitetin e saj tek fëmijët, tha se studimet që nga qershori nuk kanë identifikuar “asnjë shqetësim të ri për sigurinë”. Marëah kreu hulumtimin në emër të Projektit të Integritetit të Vaksinave, një nismë e bazuar në Universitetin e Minesotës për të ofruar prova shkencore mbi rekomandimet e vaksinave.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka mbikëqyrur të dhënat e sigurisë së vaksinës kundër koronavirusit që nga vaksinat e para të nisura në Shtetet e Bashkuara. U vendosën kërkesa shumë më të rrepta për raportimin e ngjarjeve të padëshiruara sesa për vaksinat e tjera, sepse vaksinat fillimisht u përshpejtuan nën autoritetin e reagimit ndaj emergjencave të FDA-së.

Shkalla e vdekshmërisë midis të gjitha grupmoshave pas vaksinimit me koronavirus mRNA ishte nën ato për popullatën e përgjithshme, sipas të dhënave të paraqitura në komitetin e vaksinave të CDC-së në qershor.

Noel Breëer, një profesor i shëndetit publik në Universitetin e Karolinës së Veriut dhe një nga këshilltarët e vaksinave të pushuar nga puna nga Kennedy, tha se fokusi në dëmet e vaksinave anashkalon dëmet e koronavirusit.

“Ata po e shfrytëzojnë këtë platformë për të ndarë të pavërteta rreth vaksinave për të trembur njerëzit”, tha Breëer.

“Qeveria e SHBA-së tani është duke u marrë me dezinformimin e vaksinave.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani