Vendosni fjalën kyçe....

110 mijë pjesëmarrës në marshimin ‘Unite the Kingdom’ në Londër, sulme të dhunshme ndaj oficerëve


Policia Metropolitane tha se rreth 110 mijë persona morën pjesë të shtunën në marshimin e së djathtës ekstreme në Londër me moton “Unite the Kingdom”, duke e cilësuar ngjarjen si një nga tubimet më të mëdha të këtij lloji në dekada.

Në të njëjtën kohë, rreth 5 mijë persona morën pjesë në marshimin kundër-racist Stand Up to Racism.

“Është e vështirë të vlerësohen shifrat në protesta masive, por ne përdorim kombinimin e pamjeve nga CCTV dhe helikopterët policorë për të bërë një vlerësim,” tha një zëdhënës i Met Police për The Guardian.

Në Whitehall u raportuan sulme ndaj oficerëve të policisë, ku një grup nga turma e marshimit të së djathtës ekstreme hodhi objekte dhe fishekzjarre drejt forcave të rendit dhe ku u përplasën edhe me antifashistët.

Në Trafalgar Square, policia përdori kuaj për të shpërndarë mbështetësit e marshimit, ndërsa nga ana tjetër e barrikadave antifashistët brohorisnin kundër tyre.

Një person i plagosur në kokë u dërgua me urgjencë nga mjekët e policisë përmes turmës së protestuesve, të cilët e shoqëruan me thirrje “nazi scum”.

Ndërkohë, në anën tjetër të Whitehall, ku ishin bllokuar kundër-protestuesit antifashistë, atmosfera ishte krejt tjetër.

Pavarësisht tensioneve, dhjetëra prej tyre shpërthyen në një “festë vallëzimi” spontan, duke kërcyer nën muzikën e Daft Punk Lose Yourself to Dance.

Organizatorët e së djathtës ekstreme pretenduan për një pjesëmarrje edhe më të madhe se vlerësimi i policisë, por autoritetet theksuan se shifrat mes policisë dhe organizatorëve shpesh ndryshojnë ndjeshëm.