Vendosni fjalën kyçe....

Niko Peleshi zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit me 84 vota, opozita bojkoton votimin


Socialisti Niko Peleshi është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë me 84 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim. Në votim morën pjesë 87 deputetë.

Opozita nuk u përfshi në procesin e votimit, por qëndroi në sallë, duke ndjekur në heshtje procedurën.

Demokratët reaguan duke i rënë tavolinës sa herë përmendej emri i Peleshit, ndërsa mazhoranca e duartrokiti zgjedhjen e tij.

Komisioni i përkohshëm i ngritur për administrimin e votimit përbëhej nga Fadil Nasufi, Saimir Asalla dhe Bledi Çomo, të propozuar nga Partia Socialiste, pasi Partia Demokratike refuzoi pjesëmarrjen.

Para zgjedhjes së kryetarit të ri, u zhvillua edhe betimi i deputetëve të rinj.

Nga 140 të zgjedhur, 135 u betuan, ndërsa Tom Doshi dhe Sabina Jorgo të PSD-së hoqën dorë nga mandatet e tyre.

Tre deputetë demokratë, Jozefina Topalli, Albana Vokshi dhe Oerd Bylykbashi, munguan për arsye personale dhe pritet të betohen në një seancë të ardhshme.

Seanca e parë e parlamentit të ri u drejtua nga socialisti Vasil Llajo, si deputeti më i vjetër, pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan të hapnin punimet.

Ajo u zhvillua në dy faza: paradite, kur opozita bllokoi foltoren dhe protestoi me pankarta kundër mazhorancës, dhe pasdite, kur u realizua zgjedhja e kryeparlamentarit.

Në sallë ishin të pranishëm përfaqësues diplomatikë, mes tyre e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, si edhe klerikë të besimeve fetare.

Ra në sy mungesa e përfaqësuesve të SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Në parlamentin e ri, PS hyn me 83 deputetë (53 prej tyre të rinj), PD dhe aleatët me 50 deputetë (14 të rinj), PSD me 3 deputetë, partia Mundësia me 2, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet me nga një deputet.