Vendosni fjalën kyçe....

Niko Peleshi premton parlament të hapur dhe diplomaci parlamentare drejt BE-së


Niko Peleshi mbajti fjalimin e tij të parë si kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë mes zhurmave të opozitës, e cila protestonte duke i rënë tavolinave gjatë seancës.

Peleshi theksoi rëndësinë e respektit ndaj Kushtetutës dhe rregullores: “Do doja të vendosnim një standard të ri të respektimit të Kushtetutës, rregullores dhe Kodit të Etikës. Ne jemi bashkëudhëtarë dhe kontribues në segmentin final dhe të shumëpritur të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.”

Ai premtoi se do të krijojë hapësirën e nevojshme për fjalën e çdo deputeti: “Do të bëj gjithçka mundem për të krijuar hapësirën e nevojshme të fjalës në parlament, statusin e ri dinjitoz të deputetit dhe kuvendit, infrastrukturës së përshtatshme për lehtësimin e punës së deputetit.”

Objektivi kryesor, sipas kryeparlamentarit, mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

 “Objektivi strategjik që synon mbylljen e negociatave në 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda vitit 2030 do udhëheqë diplomacinë tonë parlamentare në vitet që vijnë. Ky është angazhim që kërkon punë të pandërprerë.”- u shpreh Peleshi.

Peleshi gjithashtu u ndal te gjuha e urrejtjes dhe dhuna verbale, duke theksuar ndikimin negativ të tyre: “Gjuha e urrejtjes, dhuna verbale bëhen pengues për të ndërtuar mendësinë e re europiane. E kundërta modelojnë shoqërinë bashkëpunuese.”

Gjithashtu ai preku edhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të drejtat e shqiptarëve jashtë vendit.

 “Marrëdhëniet me PE do të thellohen më tej, ndërsa do thellojmë komunikimin me parlamentet e 27 vendeve anëtare. Është detyra jonë të mbajmë gjallë bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës dhe të punojmë për të drejtat e shqiptarëve kudo në rajon.”

Duke folur për rolin e kontrollit ndaj Ekzekutivit, Peleshi premtoi: “Do ushtrojmë kontrollin ndaj Ekzekutivit duke kërkuar llogari.”

 “Një moment historik për Shqipërinë, ndaj ndihem dyfish i vlerësuar dhe thellësisht mirënjohës dhe angazhohem për ta kthyer këtë besim në një shtysë për të punuar me përkushtim çdo ditë. Dëshiroj të falenderoj Elisa Spiropalin për kontributin e vyer gjatë vitit të fundit të legjislaturës së kaluar. Falenderoj të gjithë deputetët, pavarësisht votës pro apo kundër apo mospjesëmarrjes në votim.”- e mbylli fjalën Peleshi.