
Franca, Gjermania dhe Danimarka do të kontribuojnë me avionë luftarakë dhe mjete të tjera ushtarake për të forcuar mbrojtjen e Polonisë kundër sulmeve të ardhshme me dronë rusë, njoftuan të premten udhëheqësit e NATO-s.
Misioni, i quajtur Eastern Sentry, pritet të zgjerohet gradualisht nga Arktiku në veri deri në Detin e Zi dhe Mesdhe në jug, për të përballuar më mirë kërcënimin e dronëve dhe raketave ruse, sipas The Guardian.
Mbretëria e Bashkuar pritet gjithashtu t’i bashkohet operacionit.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha: “Përveç aftësive tradicionale ushtarake, kjo përpjekje do të përfshijë edhe elemente të dizajnuara për të adresuar sfidat e veçanta që lidhen me përdorimin e dronëve.”
Ky vendim pason incidentin e së mërkurës, kur 21 dronë rusë hynë në territorin polak. Vetëm tre ose katër u rrëzuan, ndërsa një dron arriti të fluturonte rreth 260 kilometra brenda Polonisë, duke detyruar mbylljen e katër aeroporteve.
Në atë kohë, Donald Trump tha se shkelja “mund të ketë qenë një gabim”, por shtoi: “Pavarësisht, nuk jam i kënaqur me asgjë që ka të bëjë me atë situatë.”
Ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk, reagoi më prerë: “Do të donim që sulmi me dronë mbi Poloninë të kishte qenë një gabim. Por nuk ishte. Dhe ne e dimë këtë.”
Rutte tha se “vlerësimi i incidenteve të së mërkurës është ende në proces”, por theksoi se “pavarësisht nëse veprimet e Rusisë ishin të qëllimshme apo jo, Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të NATO-s, dhe kjo kërkon përgjigje.” Ai shtoi se “papërgjegjshmëria e Rusisë në hapësirën ajrore përgjatë krahut lindor po shtohet në frekuencë dhe është e papranueshme.”
Gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, shefi më i lartë ushtarak i NATO-s, tha se forcat aleate kishin realizuar “një operacion shumë të suksesshëm” duke përdorur avionë F-35 holandezë për të interceptuar dronët, por shtoi: “Gjithmonë mësojmë diçka nga çdo operacion.”
Plani përfshin:
Danimarka do të dërgojë dy avionë F-16 dhe një fregatë anti-ajrore.
Franca tre Rafale.
Gjermania katër Typhoon.
Mbretëria e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë të shtojë deri në gjashtë Typhoon.
Ndërkohë, Rusia deklaroi se bisedimet e paqes kanë ngecur. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Për momentin është më e saktë të flasim për një pauzë.”
Në Kiev, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se qëllimet e Moskës nuk kanë ndryshuar: “Qëllimi i Putinit është të pushtojë gjithë Ukrainën. Ai ka vënë në lëvizje një makineri lufte që nuk mund ta ndalojë, përveç nëse detyrohet të ndryshojë synimet personale.”
Zelensky priti të dërguarin e Trump-it për Ukrainën, gjeneralin Keith Kellogg, duke thënë me humor se ishte gati t’i jepte shtetësi ukrainase pasi “kur ai viziton Kievin, Rusia nuk bombardion kryeqytetin.”
“Jam gati t’i jap gjeneralit Kellogg një apartament – gjithçka që i duhet, nëse kjo e shtyn Rusinë të ndalojë zjarrin,” tha Zelensky.
Sekretarja e jashtme e Britanisë, Yvette Cooper, vizitoi gjithashtu Kievin në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit pas emërimit javën e kaluar.
Ajo shpalli një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, duke thënë: “Britania nuk do të qëndrojë duarkryq ndërsa Putini vazhdon pushtimin barbar. Është jetike të rritet presioni ekonomik dhe t’i ndërpritet fluksi i parave për këtë luftë të paligjshme.”