Vendosni fjalën kyçe....

“Vetëkënaqësi, dembelizëm dhe karshillëk ndaj qytetarëve të Vlorës”, Rama: Dredha ishte zbutur më shumë seç duhej



Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë publikisht në lidhje me dorëheqjen e Ermal Dredhës nga posti i kryetarit të Bashkisë së Vlorës. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama ka kritikuar ashpër situatën në administratën vendore të qytetit bregdetar.

Duke përshkruar gjendjen si një shfaqje të “vetëkënaqësisë labe” dhe të një “dembelizmi të rrezikshëm”, Rama theksoi se problemi nuk lidhet vetëm me një individ, por me një mentalitet të rrënjosur thellë në strukturat vendore të pushtetit.

“Vetëkënaqësi labe e mbingarkuar me re në pantallonat e pushtetit. Dembelizëm dhe karshillëk ndaj popullit të Vlorës, e një haradheje të tërë njerëzish pa fe, pa atdhe, pa din e iman me mandatin e drejtorit,” deklaroi Rama, duke e krahasuar sjelljen e disa prej drejtuesve lokalë me “pasagjerët e autobusit të Kuçit”.

Ai e cilësoi dorëheqjen e Dredhës jo si një rast të izoluar, por si një sinjal për reflektim të thellë nga strukturat e PS-së në nivel vendor. Sipas Ramës, kjo situatë duhet të shërbejë si një thirrje për riformatim dhe përgjegjësi më të madhe.

“Do ishte problematike nëse do kishte lidhje me kryetarin e bashkisë, i cili në atë situatë është më i miri. Por nuk është vetëm Vlora. Dorëheqja e Ermalit, pas bisedave që kemi bërë, është tregues i një njeriu që e ndjen dhe e do Vlorën,” u shpreh Rama, duke lënë të kuptohet se largimi ka qenë i koordinuar dhe me vetëdije.

Kryeministri nuk bëri të ditur se kush do të zëvendësojë Dredhën në krye të bashkisë, por mesazhi i tij ishte i qartë: përballë vetëkënaqësisë dhe apatisë, kërkohet ndryshim dhe përgjegjësi.