
Kryeministri Edi Rama shpalli sot ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, si kandidate të Partisë Socialiste për kreun e Bashkisë së Tiranës.
Pas këtij vendimi, ka ardhur edhe reagimi i kryetares së komanduar të Bashkisë, Anuela Ristani.
Në një deklaratë publike, Ristani theksoi se periudha e saj në krye të bashkisë ka qenë një nga më të vështirat dhe më të pazakontat, ndërsa shprehu falënderim të veçantë për kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej disa muajsh.
“Transformimi i madh që Tirana ka përjetuar është fryt i vizionit dhe i punës së përbashkët të një skuadre të përkushtuar. Për këtë përvojë si qytetare dhe bashkëpunëtore do të jem gjithmonë mirënjohëse ndaj Kryetarit Erion Veliaj. Qyteti ynë është rritur.” deklaroi Ristani.
Ajo vlerësoi transformimin që ka përjetuar kryeqyteti, duke e konsideruar atë rezultat të vizionit dhe punës së një skuadre të përkushtuar.
“Qyteti ynë është rritur. Është sot më modern, më i gjallë, me më shumë shërbime, më social, me më shumë investime në infrastrukturë, arsim, kulturë e sport, me më shumë hapësira publike e gjelbërim. Dhe ky është një rrugëtim që vazhdon.”- u shpreh ajo.
Ristani gjithashtu u shpreh mirënjohëse ndaj Kryeministrit Rama për mbështetjen në momentet më delikate, ndërsa theksoi se shërbimi ndaj Tiranës ka qenë privilegji më i madh i jetës së saj profesionale.
Deklaratë e Kryetares së Komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani:
Tirana është sfida dhe dashuria më e madhe e jetës sime profesionale. Për më shumë se dhjetë vite kam pasur nderin të shërbej për këtë qytet, duke dhënë më të mirën, e bindur se Tirana meriton më të mirën.
Detyra ime si Kryetare e Deleguar ka ardhur në periudhën më të vështirë dhe më të pazakontë për Bashkinë e Tiranës dhe për qytetin. Në thellësinë e ndërgjegjes sime, kam bërë gjithçka që kam mundur, duke e ndier këtë përgjegjësi si një detyrim moral dhe qytetar: me vendosmërinë për të mos çbërë asnjë milimetër nga progresi i arritur gjatë këtyre dhjetë viteve.
Transformimi i madh që Tirana ka përjetuar është fryt i vizionit dhe i punës së përbashkët të një skuadre të përkushtuar. Për këtë përvojë si qytetare dhe bashkëpunëtore do të jem gjithmonë mirënjohëse ndaj Kryetarit Erion Veliaj. Qyteti ynë është rritur. Është sot më modern, më i gjallë, me më shumë shërbime, më social, me më shumë investime në infrastrukturë, arsim, kulturë e sport, me më shumë hapësira publike e gjelbërim. Dhe ky është një rrugëtim që vazhdon.
Në këto muaj, sfidat kanë qenë kryefjala. Ndaj dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për çdo koleg, çdo qytetar që ka kontribuar, dhe veçanërisht për Kryeministrin z. Edi Rama, për përkujdesjen dhe mbështetjen e vazhdueshme edhe në momentet më delikate.
Shërbimi ndaj Tiranës ka qenë privilegji më i madh i jetës sime. Deri në ditën e fundit do të mbetem në detyrë me të njëjtin përkushtim si në ditën e parë.
E bindur në fitoren e Partisë Socialiste për Tiranën i uroj Ogertës suksese në këtë rrugëtim!