
Kryeministri Edi Rama ka propozuar krijimin e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore, si dhe një ristrukturim të komisioneve parlamentare, në funksion të përgatitjes së Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.
Sipas Ramës, reforma zgjedhore duhet të përfshijë domosdoshmërisht depolitizimin e administratës zgjedhore, si dhe adresimin e vonesave në shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve. Ai theksoi nevojën për të reflektuar mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe për t’i kthyer ato në standarde të zbatueshme për proceset zgjedhore në vend.
Në të njëjtën linjë, kreu i qeverisë ka propozuar edhe krijimin e disa komisioneve të reja parlamentare, por me më pak anëtarë, për të garantuar më shumë efikasitet dhe përqendrim në temat që ato trajtojnë.
Tre nga komisionet e reja të parashikuara janë:
Komisioni për Shkencën, Edukimin dhe Inovacionin
Komisioni për Mirëqenien Sociale dhe Shëndetësinë
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Informimin Publik
Rama u shpreh gjithashtu se në shpërndarjen e drejtimit të komisioneve, një pjesë e tyre duhet t’i besohet opozitës, në funksion të balancimit institucional dhe përmirësimit të kulturës parlamentare në vend.
Propozimet janë bërë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku theksi u vu mbi domosdoshmërinë për të përshpejtuar reformat dhe për të qenë në përputhje me pritshmëritë e BE-së.