
Policia e Mirditës ka finalizuar operacionin e koduar “Green harvest”, duke sekuestruar 38.8 kilogramë kanabis që po transportohej në 5 thasë, ndërsa tre poseduesit e lëndës narkotike janë shpallur në kërkim.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor “Shpal – Blinisht”, ku dy vëllezër dhe një bashkëpunëtor i tyre po lëviznin me dy automjete që transportonin drogën.
Sapo panë policinë, ata braktisën mjetet dhe thasët me kanabis, duke u larguar me shpejtësi nëpër errësirë dhe terrenin malor.
Gjatë kontrollit në automjete, policia gjeti dhe sekuestroi 5 thasë me lëndë narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 38.8 kilogramë, si dhe vetë mjetet e përdorura për transport.
Në vijim të hetimeve, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim vëllezërit Dashamir Rexhepi, 40 vjeç dhe Durim Rexhepi, 35 vjeç, banues në Krujë, si dhe Mark Shyti, 27 vjeç, banues në Fushë Arrëz, Pukë.
Sipas policisë, droga ishte siguruar për t’u ndarë në sasi të vogla dhe për t’u shitur në qytet.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme lidhur me veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.