Vendosni fjalën kyçe....

Etleva Deda caktohet gjyqtare e seancës paraprake për Erion Veliajn



Gjyqtarja Etleva Deda është caktuar për të drejtuar seancën paraprake në çështjen penale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Caktimi i gjyqtares vjen një ditë pasi SPAK përmbylli hetimet dhe dorëzoi dosjen penale për gjykim. Objekt i hetimit janë kryebashkiaku Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, disa familjarë dhe bashkëpunëtorë të afërt, si edhe disa biznesmenë, shoqëri tregtare dhe organizata jofitimprurëse.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ndaj Erion Veliajt janë ngritur 12 akuza penale, përfshirë korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë në bashkëpunim (në 9 raste), pastrim parash, deklarim të rremë të pasurisë, fshehje të ardhurash, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të paligjshme në ambientet e vuajtjes së dënimit.

SPAK e akuzon Veliajn dhe bashkëshorten e tij se në bashkëpunim mes tyre kanë përfituar në mënyrë të parregullt shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte private dhe OJF, të cilat kanë përfituar më pas leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës. Sipas aktakuzës, Veliaj ka firmosur shpërndarjen e këtyre fondeve që kanë përfunduar në shoqëri tregtare, persona fizikë dhe OJF të kontrolluara drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Ajola Xoxa dhe persona të afërt me të.

Ndër subjektet e përmendura nga SPAK janë organizatat “Harabel”, “Eventus”, “Muza” dhe “BYL-A”, si edhe shoqëria “Rametal” shpk, e lidhur me biznesmenin Elman Abule. Sipas Prokurorisë, përmes këtyre entiteteve është kryer pastrim i produkteve të veprave penale, ndërsa çifti Veliaj-Xoxa ka qarkulluar para cash jashtë sistemit bankar për të financuar aktivitete tregtare private.

Një tjetër akuzë e rëndë ka të bëjë me ndryshimin e planit të detajuar vendor dhe dhënien e një leje ndërtimi për një objekt shumëkatësh, ku bashkëshortja e kryebashkiakut ka pasur interesa pasurore, në dëm të interesave të shtetit.

Seanca paraprake pritet të zhvillohet në ditët në vijim, ku do të shqyrtohet nëse çështja do të kalojë për gjykim të plotë.