Vendosni fjalën kyçe....

Zbulime të reja nga rover-i i NASA-s japin shenjat më të forta deri tani për jetë të lashtë në Mars


Rover-i Perseverance i NASA-s ka zbuluar shkëmbinj në një kanal të tharë lumi në Mars, të cilët mund të mbajnë shenja të mundshme të jetës mikroskopike të lashtë, raportuan shkencëtarët të mërkurën.

Studiuesit theksuan se nevojitet një analizë e thelluar e mostrës së mbledhur – idealisht në laboratorë në Tokë – përpara se të arrihet në përfundime.

Rover-i, që po eksploron Marsin që prej vitit 2021, nuk ka aftësi për të zbuluar drejtpërdrejt jetë, por mbledh mostra shkëmbinjsh dhe dheu me anë të shpimeve, duke i ruajtur ato në tuba metalikë për një mision të ardhshëm kthimi në Tokë.

Ky plan ambicioz është aktualisht pezulluar, pasi NASA po kërkon mënyra më të shpejta dhe më të lira.

“Është një zbulim emocionues,” thanë në një deklaratë të përbashkët Janice Bishop nga SETI Institute dhe Mario Parente nga Universiteti i Massachusetts Amherst, të cilët nuk morën pjesë në studim, duke theksuar se proceset jo-biologjike mund të shpjegojnë po ashtu këto tipare.

“Gjithçka që mund të themi është se një nga shpjegimet e mundshme është jeta mikrobiale, por mund të ketë edhe mënyra të tjera për t’i prodhuar këto veçori që shohim,” tha për Associated Press Joel Hurowitz, studiuesi kryesor nga Universiteti Stony Brook.

Mostra, e mbledhur verën e kaluar nga formacioni shkëmbor “Bright Angel” në Neretva Vallis – një kanal i lashtë lumor që dikur çonte ujë në kraterin Jezero, përmban balta të pasura me hekur dhe përbërje të bazuara në karbon. Shkencëtarët zbuluan pika mikroskopike, të quajtura “fara lulëkuqeje” dhe “njolla leopardi”, të pasura me fosfat hekuri dhe sulfide hekuri.

Në Tokë, këto lëndë kimike krijohen shpesh si nënprodukte të aktivitetit mikrobial.

Megjithatë, proceset kimike jobiologjike mund të krijojnë rezultate të ngjashme.

Për këtë arsye, studimi i botuar në revistën Nature e cilëson gjetjen si “biosinjaturë të mundshme”, jo si provë të pakundërshtueshme.

Ky ishte kampioni i 25-të i mbledhur nga rover-i, ndërsa numri total i mostrave ka arritur në 30.

Fillimisht NASA planifikonte që ato të silleshin në Tokë në fillim të viteve 2030, por për shkak të rritjes së kostove deri në 11 miliardë dollarë, misioni i kthimit është shtyrë përtej viteve 2040.

“Do të ishte e mahnitshme të tregonim përfundimisht se këto veçori janë formuar nga diçka e gjallë në një planet tjetër miliarda vjet më parë,” tha Hurowitz.

 “Por edhe nëse nuk është kështu, mbetet një mësim i vlefshëm mbi mënyrat se si natyra mund të na mashtrojë.”

Në një koment shoqërues, Bishop dhe Parente shkruan: “Nuk ka prova të mikrobeve në Mars sot, por nëse ndonjë ka ekzistuar në Marsin e lashtë, ato mund të kenë reduktuar minerale sulfati për të formuar sulfide në një liqen të tillë në kraterin Jezero.”