Vendosni fjalën kyçe....

Trump i kërkon Gjykatës së Lartë të lejojë bllokimin e 4 miliardë dollarëve ndihmë të huaj


Administrata e Donald Trump i ka kërkuar të hënën Gjykatës së Lartë që të lejojë pezullimin e 4 miliardë dollarëve të shpenzimeve për ndihmë të huaj, të cilat ishin miratuar nga Kongresi.

Kërkesa erdhi pas vendimit të një gjykatësi federal javën e kaluar, i cili detyron administratën të disbursojë fondet, pavarësisht se presidenti Trump e ka njoftuar Kongresin se nuk ka ndërmend ta bëjë këtë.

Çështja konsiderohet si një përplasje mbi kufijtë e pushtetit presidencial për të refuzuar shpenzimin e fondeve të miratuara nga Kongresi, një temë e nxehtë pasi Trump, që nga rikthimi i tij në detyrë në janar, ka përqafuar një qasje të gjerë mbi autoritetin presidencial, përcjell NBC.

Në padinë e re, Prokurori i Përgjithshëm i administratës, D. John Sauer, e cilësoi rastin si një “kërcënim të madh dhe urgjent” për fuqinë e presidencës.

Sipas Kushtetutës amerikane, është detyrë e Kongresit të ndajë fondet që presidenti mund të shpenzojë.

Financimi aktual federal skadon më 30 shtator.

Administrata Trump ka njoftuar se dëshiron të ndalojë 4 miliardë dollarë ndihmë të huaj, ndërsa do të shpenzojë 6.5 miliardë të tjera të miratuara nga Kongresi.

Përplasja ligjore lidhet me një ligj të miratuar në vitin 1974, të quajtur Impoundment Control Act, që kufizon fuqinë e presidentit mbi buxhetin, pas tentativave të ish-presidentit Richard Nixon për të ndaluar fondet për programe që nuk i mbështeste.

Gjykatësi Amir Ali në Uashington, i cili është në qendër të procesit gjyqësor, vendosi javën e kaluar se qeveria duhet të shpenzojë fondet nëse Kongresi nuk voton për të miratuar kërkesën e Trumpit.

Por administrata tha se urdhri i tij imponon barrë të pamundura. Në padinë e dorëzuar të hënën, Sauer shkruante: “Për të pasur shpresë për të përmbushur afatin, dega ekzekutive duhet të nisë menjëherë bisedime diplomatike me shtetet e huaja për përdorimin e këtyre fondeve — bisedime që presidenti i konsideron kundërproduktive për politikën e jashtme — dhe të njoftojë Kongresin për detyrime të planifikuara që presidenti i kundërshton fuqishëm.”

Organizatat paditëse, të udhëhequra nga Global Health Council, i kërkuan Gjykatës që të mos pezullojë vendimin e Ali-t, duke argumentuar se ai vetëm detyron qeverinë të bëjë planet për shpenzimin e fondeve deri në fund të muajit, ndërsa nëse Kongresi miraton kërkesën e Trumpit, paratë nuk do të duhet të disbursohen.

Të premten, Gjykata e Apelit për Distriktin e Kolumbias refuzoi ta bllokonte vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e shtyrë administratën Trump të kërkojë ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë.

Kjo është kërkesa e 25-të urgjente që administrata Trump ka bërë që nga janari, teksa gjykatat federale kanë kundërshtuar pretendimet e gjera për autoritet presidencial.

Gjykata e Lartë, me shumicë konservatore 6-3, ka pranuar deri tani 17 prej tyre.