
Qeveria e Nepalit hodhi në rrugë ushtrinë pas përleshjeve midis protestuesve dhe policisë për shkak të një ndalimi të mediave sociale dhe korrupsionit, protesta ku deri tani janë vrarë 19 persona, raportuan mediat lokale.
“Vendimi erdhi pasi protestuesit hynë në zonat e kufizuara dhe u futën në mjediset e Parlamentit”, duke çuar në vendosjen e shtetrrethimit, raportoi Himalayan Times.
Të paktën 347 persona u plagosën, nga të cilët dhjetëra janë në gjendje të rëndë, sipas Kathmandu Post. Zyrtarët ende nuk kanë lëshuar një deklaratë për viktimat. Ndërkohë, ministri i Brendshëm Ramesh Lekhak dha dorëheqjen të hënën në mbrëmje, duke marrë përgjegjësinë për shtypjen e demonstratave, sipas Himalayan Times.
Sipas zyrtarëve të spitalit, të paktën 17 persona vdiqën në spitale të ndryshme vetëm në Katmandu. Në Sunsari, dy protestues, të cilët u qëlluan gjatë demonstratave në Itahari, gjithashtu vdiqën nga plagët e marra, duke e çuar numrin e të vdekurve në të gjithë vendin në 19. Autoritetet vendosën një shtetrrethim në Katmandu pas protestave vdekjeprurëse, shkruan AA.
Protestuesit e ashtuquajtur të “Brezit Z” thyen barrikadat e policisë. Ata u ngjitën mbi portat e parlamentit ndërsa forcat e sigurisë u përgjigjën me gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit, të cilët ishin zotuar më parë të qëndronin paqësorë, sipas raporteve të shumta të lajmeve dhe fotove dhe pamjeve të shpërndara në internet.
Protestuesit kanë demonstruar në Katmandu, Pokhara, Butwal, Biratnagar dhe qytete të tjera kundër korrupsionit të dyshuar dhe ndalimit të mediave sociale. Javën e kaluar, Nepali mori masa për të bllokuar platformat kryesore të mediave sociale pasi ato nuk arritën të regjistroheshin pranë autoriteteve të vendit.
Ministria e Teknologjisë së Komunikimit dhe Informacionit vendosi ndalimin pasi u dha kompanive shtatë ditë duke nisur nga nga 28 gushti për t’u regjistruar pranë qeverisë.
Platformat e bllokuara përfshijnë kompaninë amerikane Facebook, Instagram dhe WhatsApp në pronësi të META, së bashku me YouTube, kompaninë amerikane të mediave sociale X, Reddit dhe LinkedIn.
Ajo tha se bllokimet do hiqeshin sapo kompanitë të regjistroheshin pranë autoriteteve. Partia kryesore e opozitës në Nepal e kishte kritikuar vendimin.