Vendosni fjalën kyçe....

Shkodra u trondit nga atentati, Berisha: Vrasësi ishte arrestuar më parë, por u lirua – qyteti sundohet nga bandat


Dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur në atentatin e ndodhur mëngjesin e sotëm në një kafene në Shkodër, mes tyre edhe një kamariere shërbimi.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër duke e cilësuar ngjarjen si “masakra e rradhës”.

Ai denoncoi faktin se breshëritë e armëve u qëlluan në mes të qytetit, duke shkaktuar viktima dhe plagosje të rënda.

Në deklaratën e tij, Berisha theksoi se autori i dyshuar i atentatit ishte arrestuar dy vite më parë për bashkëpunim në krim, por më pas u lirua nga drejtësia shqiptare.

“Ky fakt tregon kapjen dhe nënshtrimin e drejtësisë nga qeveria dhe lidhjet e saj me botën e krimit.”

Berisha akuzoi ashpër qeverinë, të cilën e cilëson si “narkoqeveri”, duke thënë se Shkodra po sundohet nga krimi, bandat dhe vetgjyqësia: “Krimi dhe hakmarrja po shkatërrojnë qytetin, ndërsa qeveria mban një qëndrim hakmarrës ndaj Shkodrës dhe qytetarëve të saj.”

Ngjarja e rëndë ka rritur ndjeshëm tensionin dhe pasigurinë në qytet, i cili prej kohësh përballet me incidente të përsëritura të dhunshme.