Vendosni fjalën kyçe....

Kontrollet në ujë, Policia bllokon 15 mjete lundruese, shpëton 39 persona në det


Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë shtuar ndjeshëm monitorimet dhe kontrollet në hapësirat detare, liqenore dhe lumore të vendit, duke nisur nga Komani deri në Ksamil, me qëllim rritjen e sigurisë së pushuesve dhe parandalimin e shkeljeve gjatë sezonit turistik.

Sipas njoftimit zyrtar, vetëm gjatë javës së fundit janë kontrolluar 215 mjete lundruese, prej të cilave 15 janë bllokuar për shkelje të ndryshme të rregullave të lundrimit.

Mjete të bllokuara:

8 jet ski

3 skafe

3 gomone

1 varkë metalike me motor uji të instaluar

Nga këto, gjashtë mjete janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me gjoba prej 100 mijë lekësh secili.

Nga ana tjetër, falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, janë shpëtuar në det 39 qytetarë, shqiptarë dhe të huaj, si dhe 18 mjete lundruese, të cilat kishin mbetur në vështirësi për shkak të kushteve atmosferike jo të favorshme.

Policia Kufitare apelon që qytetarët dhe pushuesit të respektojnë me rigorozitet rregullat e përdorimit të mjeteve lundruese dhe të denoncojnë çdo shkelje në numrin falas 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe marrje masash konkrete ndaj çdo shkelësi.