
Me Donald Trump Jr. si partner, fondi i investimeve 1789 Capital po tërheq një valë të re kapitalesh dhe ka siguruar pjesëmarrje në kompani të teknologjisë më premtuese, përfshirë xAI dhe dy sipërmarrje të tjera të Elon Musk – ndërsa ndjek planet për të përfituar nga ndërtimi i një “ekonomie paralele MAGA”.
Në muajt pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ky fond i panjohur më parë me lidhje me familjen Trump ka kaluar një prag të rëndësishëm: 1 miliard dollarë në asete.
Fillimisht një eksperiment i vogël për të përafruar investimet me vlerat politike konservatore, sot “1789 Capital” është shndërruar në një fuqi të madhe financiare, falë dy zhvillimeve: zgjedhjes së Trump në nëntor dhe bashkimit të djalit të tij të madh, Donald Trump Jr., si partner.
Sipas Reuters, fondi ka zgjeruar ndjeshëm portofolin e tij, duke përfshirë kontraktorë të mbrojtjes, startup-e të inteligjencës artificiale dhe kompani të tjera që, sipas ekspertëve të etikës, mund të përfitojnë nga kontratat federale apo ndryshimet rregullatore.
Nga origjinat te ngritja politike
1789 Capital u krijua nga Omeed Malik, ish-bankier investimesh në Nju Jork, dhe Christopher Buskirk, një biznesmen nga Arizona, i cili më pas u afrua me miliarderin konservator Peter Thiel dhe me nënpresidentin aktual JD Vance.
Me shtimin e Trump Jr., fondi fitoi akses të jashtëzakonshëm në qendrën e pushtetit politik.
Deri në zgjedhjen e Trump, 1789 Capital kishte profil të ulët. Por tashmë ka hyrë fuqishëm në treg.
Sipas burimeve të afërta me fondin, marrëveshjet e fundit përfshijnë investime në SpaceX, xAI dhe Neuralink të Elon Musk.
Marrëveshjet u realizuan pas një takimi të Malik me Musk gjatë fushatës së Trump.
Investime të tjera të pa raportuara më parë përfshijnë Perplexity AI, kompaninë e inteligjencës artificiale, dhe Juul Labs, prodhuesin e cigareve elektronike.
Fondi ka mbështetur gjithashtu startup-e të reja në fushën e mbrojtjes, si Hadrian. Investimet variojnë nga 5 milionë deri në 50 milionë dollarë.
Nga 150 milionë në 1 miliard dollarë
Fondi, i cili kishte vetëm 150 milionë dollarë në menaxhim vitin e kaluar, sot ka kaluar 1 miliard dollarë në asete, falë rritjes së vrullshme të investimeve që pas rikthimit të Trump në pushtet.
Emri “1789” – viti kur hyri në fuqi Kushtetuta e SHBA, simbolizon themelet e republikës amerikane.
Fondi e përshkruan misionin e tij si “kapitalizëm patriotik” dhe synon të ndërtojë një “ekonomi paralele” për bizneset, median dhe organizatat politike që mbështesin lëvizjen America First.
Një figurë kyçe në këtë rrjet ka qenë miliarderi Peter Thiel, i cili ndihmoi financiarisht fazat e hershme të karrierës së Buskirk dhe gjithashtu ndikoi në ngritjen e JD Vance.
Dyshime për konflikt interesi
Reuters nuk ka prova që “1789 Capital” ka shkelur ligjin apo ka marrë trajtim preferencial. Por ekspertët e etikës paralajmërojnë se struktura e fondit krijon potencial për konflikt interesi, pasi Donald Trump Jr. është njëkohësisht partner në fond dhe djali i presidentit në detyrë.
Investimet në industri si mbrojtja dhe teknologjia mund të përfitojnë nga politikat e formësuara nga administrata e Trump, duke rritur vlerën e aseteve të fondit dhe pasurinë e Trump Jr. e partnerëve të tij.
Richard Painter, ish-avokat i etikës në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së George W. Bush, tha: “Nuk besoj se etërit themelues do ta toleronin këtë në vitin 1789. Kjo është ironia e madhe.”
Një person i afërt me Trump Jr. tha se ai nuk diskuton interesat e tij të biznesit me të atin dhe nuk kërkon favore nga qeveria, duke theksuar se ai e bën të qartë këtë gjë në çdo marrëdhënie biznesi.
Ndërkohë, mbështetësit e Trump Jr. theksojnë se edhe të afërm të politikanëve demokratë janë përfshirë në sipërmarrje financiare, por nuk kanë marrë të njëjtin vëmendje nga mediat dhe organizatat e mbikëqyrjes.
Megjithatë, ekspertët pranojnë se bizneset e familjes Trump nuk kanë një krahasim të drejtpërdrejtë në historinë moderne amerikane.