
Policia e Tropojës ka goditur shtatë raste të ndërtimit të paligjshëm në zona të mbrojtura, pas kontrolleve intensive në terren gjatë dy ditëve të fundit. Si rezultat i këtij operacioni, janë shpallur në kërkim dy shtetas, ndërsa pesë të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha rastet janë evidentuar në bjeshkë dhe zona me status të mbrojtur, ku ndërtimet janë kryer pa lejet përkatëse nga organet kompetente.
Në kërkim janë shpallur:
S. B., 47 vjeç, banues në fshatin Gegaj, pasi ka ndërtuar një objekt në bjeshkën e “Ujzës” pa leje;
A. D., banues në Tiranë, i kapur në flagrancë duke ndërtuar një objekt pa leje në bjeshkët e lagjes “Malaj”, në Valbonë – një zonë e mbrojtur. Për këtë rast është proceduar në gjendje të lirë edhe babai i tij, S. D..
Ndërkohë, në gjendje të lirë janë proceduar:
G. K. dhe S. A., banues në Tropojë, për ndërtim pa leje në bjeshkët e “Sylbicës”;
P. Gj., banues në Pukë, për punime ndërtimi pa leje në fshatin Breg Lumi;
K. H., banues në fshatin Viçidol, i kapur duke ndërtuar në zonën e quajtur bjeshkët “Rrëzë Shkëlzenit”.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme, në ngarkim të shtetasve për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.