Vendosni fjalën kyçe....

Propozimi i fundit/ Trump-Hamasit: Liro të gjitha pengjet, Izraeli heq dorë nga ofensiva në Gaza


Presidenti i SHBA-së, Trump, ka paraqitur një propozim të ri për një marrëveshje pengjesh, sipas të cilit të 48 pengjet do liroheshin ditën e parë në këmbim të mijëra të burgosurve palestinezë.

Si pjesë e planit, Operacioni “Koçitë e Gideonit II”, ofensiva e Izraelit për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, do anulohej. Sipas propozimit, do nisnin negociata të udhëhequra nga amerikanët për t’i dhënë fund luftës, gjatë të cilave Izraelit do t’i ndalohej të rifillonte operacionet ushtarake në Rripin e Gazës.

Raporti mbi propozimin e ri të Trump u botua nga N12. Zyrtarët në zyrën e Kryeministrit iu përgjigjën planit, duke deklaruar se “Izraeli po e shqyrton seriozisht propozimin e presidentit, megjithëse ka të ngjarë që Hamasi të vijojë të refuzojë të bashkëpunojë”.

SHBA-të thuhet se i kanë dërguar Hamasit një mesazh të qartë: Nëse bien dakord për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, SHBA-të do marrin një rol më aktiv në përfundimin e luftës, ose do përballen me një operacion të rëndësishëm ushtarak izraelit në Gaza. Zyrtarët izraelitë të përfshirë në diskutime vunë në dukje se “nëse Hamasi kundërshton, kjo do na japë legjitimitet për operacionin”.

Plani e vendos Hamasin në një pozicion të vështirë, duke i kërkuar grupit t’i besojë SHBA-së për t’i dhënë fund luftës, ndërkohë që heq dorë nga ndikimi i tij më i rëndësishëm – pengjet. Ndërsa Hamasi ka interes në parandalimin e një ofensive izraelite, mbetet e pasigurt nëse grupi do e pranojë propozimin e fundit, shkruan Ynet.