
Ish-deputeti demokrat Myslym Murrizi ka vijuar kritikat ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e akuzuar për dështimin në përmbushjen e premtimit për “pastrimin” e partisë nga individët që, sipas tij, kanë tradhtuar vlerat demokratike.
Në një postim të publikuar në rrjetin e tij social “Facebook”, Murrizi i kujton Berishës deklaratën e nëntorit 2024, kur pas lirimit nga arresti shtëpiak, ish-kryeministri premtoi përpara mbështetësve se do të “pastronte shtëpinë” e demokratëve. Sipas Murrizit, ndodhi e kundërta.
“Në fakt, pas kësaj deklarate fillove ta pastrosh PD nga ata që të kanë qëndruar dhe mbështetur, duke ulur në qoshe ata që të kanë sharë e sulmuar, që lobuan për të shpallur ‘non grata’ dhe që të raportonin në ambasada”, shkruan Murrizi.
Ai thekson se në strukturat drejtuese të PD-së janë afruar persona që më parë kanë sulmuar publikisht Berishën, madje edhe ata që, sipas tij, ishin pjesë e dhunës së 8 janarit 2022 ndaj demokratëve.
Murrizi e cilëson “revolucionin” e shpallur nga Berisha si një “version 3D imagjinar”, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e luftës së shpallur kundër ndikimit të George Sorosit në politikën shqiptare.
“Kur shoh që në grupin parlamentar ke 17 deputetë këlysh të Sorosit dhe mbi 10 anëtarë kryesie, dhe nuk ke këllqe të marrësh asnjë nismë për t’i ‘pastruar’, atëherë e gjithë ‘lufta’ demagogjike kundra Sorosit shfryhet si tullumbace, Doktor”, vijon Murrizi.
Duke e akuzuar Berishën për mungesë veprimesh konkrete, Murrizi shkruan se politika nuk bëhet me “deklarata falso” dhe se “morali i politikës nuk janë numrat, por vlerat”.
Ai përfundon me një pyetje retorike për Berishën:
“A e ‘pastron’ dot shtëpinë, Doktor? Mua më duket që jo.”