
Ushtria izraelite (IDF) ka nisur fazën e re të ofensivës tokësore në qytetin e Gazës të premten, në kuadër të operacionit “Karrocat e Gideonit II”, duke filluar me sulme të fuqishme ajrore mbi ndërtesat e larta që Hamas i përdorte për vëzhgim dhe pozicione të sulmit, përcjell YNetNews.
Sipas shefit të shtabit të IDF-së, gjeneral lejtnant Eyal Zamir, kjo fushatë mund të zgjasë deri në një vit, për shkak të rrjetit të gjerë të tuneleve që Hamas ka ndërtuar nën qytet dhe pranisë së pengjeve izraelite që besohet të mbahen atje.
Operacioni synon të depërtojë në lagje si Sheikh Ajlin, Sabra dhe Rimal, ku IDF ka shkatërruar qindra kamera vëzhgimi dhe pozicione armike në katet e sipërme të ndërtesave. Komandantët izraelitë pritet të hyjnë fizikisht në këto zona në ditët në vijim – shumë prej të cilave nuk kanë parë trupa izraelite në terren për më shumë se një vit.
Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë ndërtuar një “qytet për të zhvendosurit” pranë Khan Younis, ku janë siguruar ujë, ushqim, strehim dhe ndihmë mjekësore. Qëllimi është që palestinezët e zhvendosur në veri të lëvizin më në jug, për të shmangur dëmet civile gjatë ofensivës tokësore.
Zyrtarët ushtarakë izraelitë theksojnë se objektivi nuk është eliminimi total i Hamasit, por shkatërrimi i infrastrukturës së tij – nëntokësore dhe mbitokësore – në qytetin e Gazës. Sipas IDF-së, kjo do të dobësojë ndjeshëm aftësitë luftarake të Hamasit dhe do të ndikojë edhe në çështjen e pengjeve.
Inteligjenca ushtarake vlerëson se Hamas mund të tentojë të transferojë pengje të tjerë në qytetin e Gazës, ndërsa rreth 10,000 luftëtarë të Hamasit pritet të përzihen me civilët që po lëvizin drejt jugut. IDF ka vendosur të mos ndalojë këto lëvizje për shkak të rrezikut të përplasjeve masive dhe sulmeve vetëvrasëse në mesin e turmave.
Sipas zëdhënësve të IDF-së, ndërsa Hamas humbet tunelet dhe strukturat e larta, komandantët e tij bëhen më të ekspozuar dhe mund të ndikohen operacionet për shpëtimin e pengjeve. Aktualisht, sipas ushtrisë izraelite, rrugët nëntokësore që lidhin Gazën qendrore me veriut janë ndërprerë.