
Një 33-vjeçar nga Durrësi, i identifikuar si Enea Zeqiri, është arrestuar në flagrancë nga Policia, pasi dyshohet se mbante me forcë në banesën e tij një vajzë 15-vjeçare, duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj dhe pa e lejuar të largohej.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Durrësdhe njësive operacionale të Drejtorisë Vendore, në banesën e të dyshuarit në lagjen nr. 14, Durrës, u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë “Zastava” me silenciator, si dhe municion luftarak.
Autoritetet dyshojnë se 33-vjeçari kishte një marrëdhënie intime me të miturën, e cila mbahej në mënyrë të paligjshme në banesë, nën presion psikologjik dhe kërcënime.
Enea Zeqiri është arrestuar në vendngjarje, ndërsa ndaj tij janë ngritur akuzat për:
“Dhuna në familje”,
“Heqja e paligjshme e lirisë”,
“Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve të mëtejshme.