
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë goditur një ndërtesë të lartë në qytetin e Gazës që, sipas ushtrisë, përmbante infrastrukturë të Hamasit dhe pajisje për survejim. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i IDF-së në gjuhën arabe, koloneli Avichay Adraee, përmes një postimi në platformën X/Twitter.
Më herët gjatë ditës së shtunë, Adraee u kishte bërë thirrje civilëve që të evakuonin disa zona të qytetit të Gazës, duke i këshilluar të zhvendosen drejt jugut, në zonat humanitare në Khan Yunis dhe Al-Mawasi, përcjell Jerusalem Post.
Sipas deklaratës së tij, IDF ka marrë masa për të minimizuar humbjet në radhët e civilëve, përfshirë njoftimet për evakuim, përdorimin e goditjeve të sakta dhe inteligjencën e mbledhur nga terreni.
Një nga objektivat kryesore ishte një ndërtesë e lartë në Gaza City, e cila sipas ushtrisë izraelite ishte përdorur nga Hamasi për operacione ushtarake dhe grumbullim informacioni. Ushtria theksoi gjithashtu se përreth ndërtesës ishin vendosur pajisje shpërthyese. Megjithatë, Hamasi e mohoi përdorimin e ndërtesës për qëllime ushtarake, ndërsa banorët palestinezë thanë se objekti përdorej për strehimin e të zhvendosurve.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, publikoi një video që tregon momentin e shembjes së ndërtesës pas goditjes, ku një re e madhe pluhuri dhe mbeturinash ngrihet mbi qytet.
Ky sulm është pjesë e ofensivës së re të IDF-së në qytetin e Gazës, e cila nisi të premten. Sipas një deklarate zyrtare të ushtrisë:
“Në ditët në vijim, IDF do të kryejë goditje të sakta kundër infrastrukturës terroriste që paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për trupat tona.”
Ndërkohë, të premten, IDF goditi një tjetër kullë shumëkatëshe që dyshohej se përdorej nga Hamasi.
Javët e fundit, ushtria izraelite ka vrarë disa figura të larta të Hamasit, përfshirë zëdhënësin Abu Obeida. Një fotografi e publikuar së fundmi tregoi Obeidën së bashku me drejtues të tjerë të Hamasit, shumica prej të cilëve janë vrarë tashmë gjatë luftës. Vetëm Mohammed Odeh, kreu i inteligjencës së Hamasit, mendohet të jetë ende gjallë.
Pas vrasjes së Obeidës, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir, paralajmëroi liderët e Hamasit jashtë Gazës, duke deklaruar:
“Do t’i arrijmë edhe ata.”