Vendosni fjalën kyçe....

Shoqata Kombëtare e Armëve kundërshton idenë e administratës Trump për të ndaluar blerjen e armëve nga transgjinorët



Shoqata Kombëtare e Armëve (NRA) ka reaguar ndaj raportimeve se administrata e presidentit Trump po shqyrton mundësinë e vendosjes së kufizimeve për personat transgjinorë në blerjen dhe mbajtjen e armëve të zjarrit.

NRA, që përfaqëson lobin më të madh të armëve në SHBA me rreth 5 milionë anëtarë, publikoi një deklaratë ditën e premte duke riafirmuar mbështetjen e saj për të drejtën e çdo qytetari që respekton ligjin për të mbajtur armë, pa diskriminim, përcjell Fox News.

Deklarata vjen pasi Departamenti i Drejtësisë (DOJ) ka zhvilluar disa takime të brendshme pas sulmit në shkollën Annunciation School, ku Robin Westman – person që identifikohej si transgjinor – vrau dy persona dhe plagosi 18 të tjerë. Sipas Associated Press, Westman kishte blerë armët në mënyrë të ligjshme.

“NRA mbështet të drejtat e Amendamentit të Dytë për të gjithë amerikanët që respektojnë ligjin. Ne nuk mbështesim dhe nuk do të mbështesim propozime që kufizojnë në mënyrë arbitrare këto të drejta pa proces të rregullt ligjor,” thuhet në deklaratën e NRA.

Edhe organizata të tjera të fuqishme pro-armëve, si Gun Owners of America (GOA) dhe National Association for Gun Rights (NAGR), janë shprehur kundër çdo lloj ndalese që do të prekte personat transgjinorë.

“GOA kundërshton çdo ndalim armësh. Pikë,” thuhet në një postim të tyre në rrjetin social X.

Presidenti i NAGR, Dudley Brown, paralajmëroi se përpjekjet për të etiketuar njerëzit si “mentalitetisht të paaftë” për të hequr të drejtat e tyre, përbëjnë shkelje të rëndë të procesit ligjor.

Diskutimet brenda DOJ janë në faza shumë të hershme dhe, sipas burimeve për Fox News, nuk ka asnjë hap konkret të ndërmarrë deri tani. Megjithatë, zyrtarët po shqyrtojnë një “model” incidentesh të dhunshme të kryera nga persona transgjinorë.

Përmendje të veçanta u bënë edhe për raste të tjera si ai i Audrey “Aiden” Hale, e cila vrau 6 persona në shkollën The Covenant School në Nashville në vitin 2023, dhe Alec McKinney, adoleshenti trans që ishte një nga dy autorët e sulmit në STEM School në Kolorado.

Zyrtarë nga DOJ kanë përfshirë në diskutime edhe Zyrën e Këshilltarit Ligjor, si dhe mund të përfshijnë në të ardhmen ATF-në (Byronë për Alkoolin, Duhanin, Armët dhe Eksplozivët), që mbikëqyr rregullat federale mbi armët.

Zëdhënësi i DOJ ka minimizuar raportimet, duke theksuar se fokusi i bisedimeve është tek shëndeti mendor dhe jo tek komuniteti transgjinor në veçanti:

“DOJ po shqyrton mënyra për të parandaluar dhunën nga individë me probleme të caktuara të shëndetit mendor dhe varësisë ndaj substancave. Nuk janë propozuar masa konkrete deri më tani,” u shpreh zëdhënësi.

Një burim shtoi se objektivi është që individët me disfori gjinore dhe në gjendje të paqëndrueshme mendore të mos kenë qasje në armë gjatë kësaj periudhe.

Ligji aktual amerikan nuk ndalon automatikisht individët me probleme të shëndetit mendor të blejnë armë, përveç rasteve kur një gjykatë i shpall juridikisht të paaftë – çka më pas shfaqet gjatë verifikimit të sfondit për lejen e armës.

Grupet për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ kanë kritikuar ashpër idenë, duke e quajtur atë të rrezikshme dhe diskriminuese, ndërsa theksojnë se shumica absolute e sulmeve me armë në SHBA janë kryer nga meshkuj cisgjinorë, dhe jo nga persona trans.

“Personat transgjinorë përbëjnë më pak se 2% të popullsisë, por janë katër herë më të rrezikuar për t’u bërë viktima të krimit,” tha organizata GLAAD. “Të gjithë meritojnë siguri dhe trajtim të barabartë, pa përjashtime.”

Që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij ka marrë një sërë vendimesh kundër komunitetit transgjinor, përfshirë përjashtimin e tyre nga ushtria, ndalimin e ndryshimit të gjinisë në pasaporta, dhe mbështetjen për ndalimin e pjesëmarrjes së meshkujve biologjikë në sportet femërore.