
Kryetari i Bashkisë së Peqinit, Bukurosh Maçi, ka reaguar pas thirrjes publike të studiuesit Auron Tare për të ndalur shtrimin me asfalt të një segmenti të Rrugës së vjetër Egnatia. Në një deklaratë për media, Maçi i cilësoi kritikat si të padrejta dhe keqdashëse, duke theksuar se ndërhyrja ka për qëllim zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e jetës së banorëve të zonës.
“Për vite me radhë, askush nuk e përmendi Peqinin, kur rruga historike ishte mbuluar nga ferrat dhe askush nuk e njihte. Sot që po punojmë për ta nxjerrë në dritë, na kritikojnë,” u shpreh Maçi.
Ai theksoi se asfaltimi nuk është dëmtim, por një mënyrë për të mbrojtur dhe bërë të përdorshme rrugën. “Asfalti mbrohet dhe hiqet, nuk është i përjetshëm. E mbron rrugën dhe e bën të pavdekshme. Kemi menduar që rruga të shfrytëzohet si për turizëm, ashtu edhe për banorët që jetojnë aty,” tha ai.
Maçi shtoi se ka kërkuar ndihmën e institucioneve dhe të vetë Auron Tares për të ruajtur trashëgiminë arkeologjike të zonës. “Kam trokitur në çdo institucion për mbështetje. Peqini nuk ka pasur kurrë vëmendjen që meriton. Ne po nxjerrim në pah vlerat arkitekturore të zonës,” u shpreh ai.
Në fund, kryebashkiaku përmendi edhe ndërhyrjen për ruajtjen e një ure antike mbi 2400-vjeçare që ndodhet në zonë, duke bërë thirrje për mirëmbajtjen e saj.