Vendosni fjalën kyçe....

Trump firmos urdhrin ekzekutiv për rikthimin e emrit “Departamenti i Luftës” në vend të “Departamentit të Mbrojtjes”



Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv me qëllim rikthimin e emrit të Departamentit të Mbrojtjes në Departamenti i Luftës — një lëvizje që ai e ka paralajmëruar prej kohësh dhe që synon të pasqyrojë fuqinë ushtarake të Amerikës në botë, përcjell AP.

“Është një emër shumë më i përshtatshëm, veçanërisht duke pasur parasysh situatën aktuale globale,” tha Trump, duke shtuar se emri i mëparshëm ishte “woke” (politike e tejkaluar dhe e ndjeshme ndaj ideologjive moderne).

Ky urdhër vjen ndërsa disa nga mbështetësit më të ngushtë të Trump në Kongres kanë propozuar ligje që do të kodifikonin në ligj këtë emër të ri, duke bërë që vetëm Kongresi të ketë fuqinë për të krijuar, mbyllur apo riemërtuar departamente federale. Në mungesë të ndryshimit ligjor, Trump do të autorizojë Pentagonin të përdorë tituj dytësorë.

“Nga viti 1789 deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, ushtria amerikane vepronte nën emrin ‘Departamenti i Luftës,’” tha përfaqësuesi republikan nga Florida, Greg Steube, veteran i ushtrisë. “Është e drejtë që të nderojmë këtë shembull të përjetshëm dhe përkushtimin e tyre të njohur ndaj efektivitetit ushtarak duke rikthyer emrin ‘Departamenti i Luftës’ në Forcat tona të Armatosura.”

Senatorët Rick Scott (R-Florida) dhe Mike Lee (R-Utah) kanë paraqitur ligje shoqëruese në Senat për të mbështetur këtë ndryshim.

Departamenti i Luftës u krijua në vitin 1789 dhe u riorganizua në vitin 1947 me nënshkrimin e Presidentit Harry Truman, duke u transformuar në Departamentin e Mbrojtjes, që përfshinte Ushtrinë, Marinën dhe Forcën e Re Ajrore.

Trump tha: “Vendosëm të shkojmë me trendin ‘woke’ dhe ta ndryshojmë emrin në Departamentin e Mbrojtjes. Tani do të kthehemi në Departamentin e Luftës.”

Drejtori i Pentagonit, Pete Hegseth, që ishte pranë Trump gjatë nënshkrimit të urdhërit, tha:
“Nuk kemi fituar një luftë të madhe që prej ndryshimit të emrit. Tani do të kalojmë në ofensivë, jo vetëm në mbrojtje.”

Trump ka thënë se dëshiron ta ndryshojë emrin sepse “thjesht tingëllon më mirë”, ndërsa Hegseth sugjeroi se ky ndryshim është afër, duke thënë në një fjalim për ushtarët në Fort Benning të Xhorxhias se mund të ketë “një titull paksa ndryshe nesër.”

Ndërkohë që ndryshimi i emrit kërkon miratim nga Kongresi, Trump deklaroi se do ta bëjë pavarësisht dhe është i bindur se Kongresi do të pajtohet nëse kërkohet.

Në të njëjtën kohë, Trump dhe Hegseth po zbatojnë një fushatë kundër asaj që ata e quajnë ideologji “woke” në ushtri, duke marrë masa edhe jashtë kornizave ligjore.

Një shembull është përpjekja për të rikthyer emrat e nëntë bazave ushtarake që mbanin emra të udhëheqësve Konfederatë, të cilët u ndryshuan në vitin 2023 sipas ligjit. Për shkak të ndalimit ligjor, Hegseth urdhëroi që bazat të riemëroheshin me emra të personave të tjerë me mbiemra të ngjashëm për të shmangur ndalimin.

Kjo ka irrituar republikanët në Kongres, të cilët në korrik kanë kërkuar ndalimin e rikthimit të këtyre emrave në ligjin për autorizimin e mbrojtjes për këtë vit.

Rep. Don Bacon, republikan nga Nebraska dhe bashkë-sponsor i amendamentit për heqjen e emrave konfederatë, tha:
“Ajo që po bën kjo administratë, veçanërisht sekretari i mbrojtjes, është sikur të fusësh gishtin në sy të Kongresit duke rikthyer emrat e vjetër.”