
Zëvendëskryeministrja britanike, Angela Rayner, dha dorëheqjen të premten pasi pranoi se kishte bërë një gabim të rëndë duke mos paguar plotësisht taksën e pronës për një banesë të re – një zhvillim që përbën goditjen më të fortë deri tani për kryeministrin Keir Starmer.
Vendimi erdhi pasi këshilltari i pavarur për standardet ministrore konfirmoi se Rayner kishte shkelur kodin etik duke mos paguar shumën e plotë të detyrimeve.
Kryeministri Starmer, duke e përshkruar si “një kolege të besuar dhe një mike të vërtetë”, tha se ishte “shumë i trishtuar që po e humb nga qeveria”.
Rayner, 45 vjeçe, është ministrja më e lartë dhe e teta që largohet nga kabineti i Starmerit jashtë ristrukturimeve zyrtare, më shumë se çdo kryeministër tjetër britanik në fillim të mandatit të tij në gati 50 vite, përfshirë edhe periudhën kaotike të Boris Johnson.
Në letrën e dorëheqjes, ajo pranoi: “Pendohem thellësisht për vendimin tim për të mos kërkuar këshillë të specializuar shtesë mbi çështjet e mia fiskale. Marr përgjegjësi të plotë për këtë gabim.”
Starmer i tha Raynerit se kishte marrë vendimin e duhur, por shtoi se “e di që është shumë i dhimbshëm për ty”, duke theksuar se edhe pse ajo nuk do të jetë më pjesë e qeverisë, “mbetet një figurë e rëndësishme në Partinë Laburiste”.
Këshilltari i pavarur arsyetoi se Rayner kishte shpërfillur një paralajmërim të qartë brenda këshillës ligjore që kishte marrë për të kërkuar ekspertizë shtesë.
“Në këto rrethana, konsideroj se kodi është shkelur”, theksoi ai.
Dorëheqja e Raynerit erdhi në një moment delikat për Laburistët, të cilët janë duke u përballur me rënie në sondazhe përballë partisë populiste Reform UK të Nigel Farage, përcjell Reuters.
Duke përfituar nga zhvillimi, Farage tha në konferencën e partisë në Birmingham se qeveria laburiste ndodhet “në krizë të thellë” dhe sugjeroi se zgjedhjet mund të mbahen para vitit 2027.
“Pavarësisht të gjitha premtimeve për një politikë të re dhe ndryshe, kjo është po aq e keqe, në mos më e keqe, se ajo që kemi parë më parë”, deklaroi Farage, duke marrë duartrokitje të forta nga mbështetësit.
Humbja e Raynerit është veçanërisht e dhimbshme për Starmerin, pasi ajo shihej si një figurë e aftë për të balancuar krahun e majtë dhe atë qendror të partisë, duke ruajtur unitetin dhe duke pasur një apel më të gjerë publik sesa vetë Starmeri.
Një deputet laburist pranoi: “Çdo dorëheqje është një goditje, sidomos ajo e Ange, por ishte e pashmangshme. Ajo do të qëndrojë e heshtur për ca kohë, por në të ardhmen mund të sfidojë Starmerin.”
Rayner i referoi vetë hetuesit të pavarur çështjen të mërkurën, pasi pranoi se kishte bërë një gabim në pagesën e taksave.
Në një intervistë të dhimbshme ku u shfaq e përlotur, ajo foli edhe për krijimin e një trusti për njërin nga djemtë e saj me aftësi të kufizuara të përhershme.