Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria libaneze miraton çarmatimin e Hezbollahut



Qeveria e Libanit ka miratuar planin e ushtrisë për çarmatimin e Hezbollahut. Lajmi u bë i ditur nga ministri libanez i Informacionit, Paul Morcos, i cili tha se janë marrë angazhime nga disa shtete për të mbështetur ushtrinë libaneze në zbatimin e këtij plani, përcjell YNetNews. Detajet mbi përmbajtjen e planit dhe diskutimet përreth tij mbeten konfidenciale.

Ministri Morcos theksoi se ushtria do të fillojë zbatimin e planit brenda kapaciteteve të saj aktuale, të cilat janë të kufizuara në aspektin logjistik, teknik dhe njerëzor. Ai nënvizoi se kjo iniciativë është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë ndërkombëtare që synon vendosjen e kontrollit të plotë shtetëror mbi armët në territorin libanez.

Plani i propozuar ka marrë mbështetje të qartë nga SHBA dhe Arabia Saudite, të cilat kanë kërkuar që të gjitha armatimet në vend të jenë nën kontrollin ekskluziv të institucioneve shtetërore deri në fund të vitit.

Gjithsesi, procesi ka hasur në kundërshtim të fortë. Gjatë mbledhjes së qeverisë, pesë ministrat shiit, të lidhur me Hezbollahun, janë larguar nga salla sapo shefi i ushtrisë, gjeneral Rodolphe Haykal, hyri për të prezantuar planin. Hezbollah e ka cilësuar vendimin si të pavlefshëm dhe të diktuar nga presione të jashtme. Grupi ka deklaruar se nuk do të pranojë çarmatim për sa kohë që Izraeli vazhdon të kryejë operacione ushtarake në territorin libanez dhe nuk tërhiqet plotësisht.

Ky zhvillim vjen pasi qeveria libaneze kishte kërkuar në gusht nga ushtria që të përgatiste një plan për çarmatim deri në fund të vitit 2025. Debati rreth çështjes mbetet i ashpër dhe me pasoja të mundshme për stabilitetin politik dhe sigurinë në vend.