Vendosni fjalën kyçe....

Putin: Perëndimi nuk mund ta trajtojë Indinë dhe Kinën si koloni


Perëndimi nuk duhet ta trajtojë Indinë dhe Kinën si koloni, as të përdorë një ton agresiv kur merret me gjigantët aziatikë, tha të mërkurën presidenti rus Putin.

Duke folur për shtypin rus në Pekin, pasi mori pjesë në përkujtimin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore të mërkurën, Putin tha se India dhe Kina janë përballur me sfida të rëndësishme, duke përfshirë kolonializmin dhe sulmet e zgjatura ndaj sovranitetit të tyre.

“Ngjarjet në Ukrainë po përdoren thjesht si pretekst për zgjidhjen e çështjeve ekonomike me disa vende, lidhjet dhe avantazhet ekonomike të të cilave nuk i përshtaten dikujt”, tha Putin në një përgjigje ndaj një pyetjeje mbi përgatitjen e Bashkimit Evropian për raundin e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë dhe kërcënimin e partnerëve të Moskës, shkruan RT.

“Vende si India që ka pothuajse 1.5 miliardë banorë, dhe Kina me 1.3 miliardë banorë, krenohen me ekonomi të fuqishme dhe jetojnë sipas ligjeve të tyre politike të brendshme”, tha Putin.

Presidenti rus tha se nëse udhëheqësit aziatikë do zbuteshin, karrierat e tyre politike do mbaronin, “ashtu si në epokën koloniale”.

Ai shtoi: “Të flasësh me partnerë të tillë me një ton të tillë zëri është e papranueshme”.

SHBA-të kanë vendosur tarifa prej 50% ndaj Indisë, 25% e të cilave janë për blerjet e vazhdueshme të naftës ruse nga Nju Delhi. Kur u pyet se për çfarë kishin folur ai dhe kryeministri indian Narendra Modi në limuzinën Aurus të udhëheqësit rus pas samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Tianjin të hënën, Putin tha se e kishte informuar kryeministrin indian për bisedimet e tij të fundit me Trump në Alaska.