
Hamas publikoi të premten një video ku shfaqet pengu Alon Ohel, 24 vjeç, duke e bërë këtë pamja e parë filmike që konfirmon se ai është gjallë në Gaza që nga rrëmbimi i tij më 7 tetor 2023.
Në video, Ohel shihet duke biseduar shkurtimisht në Gaza City me pengun tjetër, Guy Gilboa Dalal. Familja e Ohel konfirmoi identitetin e tij, por kërkoi që pamjet të mos publikohen për momentin, përcjell Ynet.
Ndërkohë, familja e Gilboa Dalal shpërndau një fragment 28-sekondësh të videos, ku ai shfaqet pa praninë e Ohelit.
Në atë pjesë, Dalal shihet duke udhëtuar me një automjet dhe deklaron se regjistrimi është bërë më 28 gusht 2025, në prag të një operacioni tokësor të ushtrisë izraelite.
Në video, ai dëgjohet të thotë: “Gjithçka që duam është që kjo të marrë fund. Duam të kthehemi pranë familjeve tona. Ju lutem, na ktheni në shtëpi.”
Ndërkohë edhe familja e tij reagoi duke thënë: “Më në fund morëm një shenjë jete nga Guy, gjashtë muaj pas videos së fundit ku ai u shfaq me Evyatar David. Jemi shumë të shqetësuar për jetën e tij, të Alonit dhe të pengjeve të tjera. Ata duhet të kthehen në shtëpi.”
Historia e Alon Ohel
Ohel, me origjinë nga komuniteti Lavon në Galile, u rrëmbye gjatë festivalit të muzikës Nova pranë Kibbutz Re’im.
Ai është pianist dhe muzikant i talentuar, që kishte planifikuar të studionte xhaz në Shkollën e Muzikës Rimon në Tel Aviv.
Familja ka shprehur shpesh ankthin për gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa babai i tij, Kobi, ka paralajmëruar se djali po humbet shikimin.
Historia e Guy Gilboa Dalal
Guy Gilboa Dalal, nga vendbanimi Alfei Menashe në Bregun Perëndimor, u rrëmbye gjithashtu gjatë festivalit Nova, ku ndodhej me vëllain e tij Gal, i cili arriti të shpëtojë.
Ai është i apasionuar pas kulturës japoneze, me ëndrrën për të vizituar Japoninë dhe për të parë nga afër lulëzimin e qershive.
Prindërit e tij kanë thënë se shpresa e përditshme është mbështetja e tyre e vetme, në mungesë të çdo informacioni për gjendjen e tij.