
Piktura dhe një fotografi e lidhur me skandalin 1MDB u shitën në ankand të enjten, me një vepër arti nga Jean-Michel Basquiat që u shit më shumë se dyfishi i çmimit të mëparshëm.
Një natyrë e qetë e Pablo Picasso-s, dy vepra nga Basquiat dhe një printim i një fotografie të Diane Arbus patën oferta të larta duke arritur 35.8 milionë dollarë ndërsa ankandi online u mbyll. Ai përfaqësonte përpjekjen e fundit nga qeveria amerikane për të rimarrë disa nga 4.5 miliardë dollarët e vjedhur nga një fond sovran pasurie malajzian midis viteve 2009 dhe 2015.
Shitja u krye nga Gaston & Sheehan Auctioneers, një biznes familjar në Pflugerville, Teksas, që likuidon makina të vjetra dhe mobilje zyre nga qeveritë lokale, por gjithashtu ka një kontratë me Shërbimin e Marshallëve të SHBA-së. Çmimet kishin qenë në nivele të volitshme më herët gjatë ditës, por u rritën me shpejtësi ndërsa ankandi u mbyll. Ofertuesit fitues nuk u identifikuan me emër.
“Këto u shitën pikërisht aty ku duhet të ishin në tregun e sotëm, pak a shumë”, tha Dane Jensen, një këshilltar arti që punon në transaksione të nivelit të lartë.

Departamenti i Drejtësisë tha më parë këtë vit se janë rikuperuar më shumë se 1.7 miliardë dollarë në asete të lidhura me aferën 1MDB. Skandali i përhapur përfshinte korrupsion e pastrim parash dhe tre nga veprat e artit të nxjerra nw ankand të enjten ishin në pronësi të aktorit Leonardo DiCaprio. Ato iu dhanë atij nga financuesi malajzian Jho Low, truri i dyshuar i skemës, i cili është ende nw arrati, që besohet se fshihet në Kinë. DiCaprio nuk është akuzuar për ndonjë shkelje.
Ankandi për “Red Man One” të Basquiat, një vepër neo-ekspresioniste që është më shumë se 6 metra e lartë, u mbyll me 22 milionë dollarë. Low e bleu veprën për 9.4 milionë dollarë nga një galeri në Manhattan në vitin 2012 duke përdorur fonde të devijuara nga një transaksion obligacionesh 1MDB, sipas SHBA-së.
Fotografia bardh e zi nga Arbus, e njohur si “Fëmija me një granatë dore lodër” në Central Park, NYC, u ble nga Low për 750,000 dollarë në nëntor 2013 me fonde 1MDB, thotë SHBA-ja. Low ia dha DiCaprio-s si dhuratë në mars të vitit 2014, thanë prokurorët. Oferta maksimale ishte 500,150 dollarë.

Fëmija me një granatë dore lodër në Central Park, NYC.
Low e bleu pikturën e Picasso-s, Tete de Taureau et Broc, për 3.28 milionë dollarë në vitin 2014 me paratë e 1MDB, thanë SHBA-të. Një bashkëpunëtor i Low më vonë ia dha atë DiCaprio-s, sipas qeverisë. Piktura e Picasso-s u shit për 5 milionë dollarë në ankand.
Artikulli i katërt i shitur është një vizatim me laps dhe stilolaps nga Basquiat, i njohur si Autoportret (1982), i cili iu dorëzua SHBA-së nga producenti i filmit “Ujku i Wall Street”, Joey McFarland, i cili tha se e mori atë si dhuratë nga Low dhe bashkëpunëtorët e tij.

Koka e demit dhe broka e Pikasos (1939). Burimi: Shtëpia e Ankandeve Gaston & Sheehan
Kompania e prodhimit të McFarland, Red Granite Pictures, e cila financoi filmin e nominuar për çmimin Oscar me protagonist DiCaprio-n, më vonë pagoi 60 milionë dollarë pa pranuar shkelje për të zgjidhur pretendimet e SHBA-së se fondet u morën nga 1MDB.
Çmimi i mbylljes së veprës artistike ishte 8.33 milionë dollarë, shkruan Bloomberg.