Vendosni fjalën kyçe....

S’ndalen studentët në Indonezi, protesta para parlamentit


Studentët indonezianë do organizojnë protesta para parlamentit në kryeqytetin e vendit Xhakarta të enjten, tha një grup studentësh, pasi një takim i propozuar me qeverinë mbi demonstratat masive që kanë lënë 10 të vdekur ende nuk është bërë i mundur.

Të udhëhequra nga studentë, punëtorë dhe grupe të të drejtave të njeriut, protestat e javës së kaluar mbi dhunën policore dhe prioritetet e shpenzimeve shtetërore u përhapën në demokracinë e tretë më të madhe në botë pasi një automjet policie goditi dhe vrau një burrë me motor.

Demonstratat herë pas here janë shndërruar në të dhunshme. Grupet e të drejtave të njeriut thanë se 10 persona kanë vdekur dhe mbi 1,000 të tjerë janë plagosur në incidente plaçkitjesh dhe trazirash. Grupet e të drejtave të njeriut kanë dënuar përdorimin e forcës nga forcat e sigurisë.

Koalicioni i organeve studentore, i njohur në nivel lokal si BEM SI, tha përpara protestës së së enjtes se “ankthi i njerëzve nuk është për shkak të protestave në rrugë, por është për shkak të korrupsionit dhe politizimit të ligjit”, shkruan Reuters.

Dhjetë sindikata studentore u takuan me parlamentarët të mërkurën. Ata kërkuan një hetim të pavarur mbi dhunën policore, ndërsa bënë një kontrast midis përfitimeve që kanë deputetët dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen shumica e indonezianëve.

Protestat janë thirrur nga disa organizata studentore indoneziane me interesa të ndryshme dhe ndonjëherë të papajtuara.

Punëtorët e sindikatës Gebrak do organizojnë gjithashtu një demonstratë në Xhakarta të enjten kundër reagimit të ashpër të sigurisë dhe do kërkojnë lirimin e të ndaluarve.

Autoritetet indoneziane kanë arrestuar mbi 3,000 persona në një goditje mbarëkombëtare, tha të enjten grupi i të drejtave të njeriut Human Rights Ëatch me seli në Nju Jork.

“Autoritetet indoneziane nuk duhet t’u përgjigjen protestave kundër politikave qeveritare duke përdorur forcë të tepruar dhe duke burgosur padrejtësisht demonstruesit”, tha Meenakshi Ganguly, zëvendësdrejtoreshë e grupit për Azinë.