
Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një ndihmë prej 32.5 milionë dollarësh për Nigerinë, për të ndihmuar në përballimin e krizës së urisë që ka prekur pjesë të mëdha të vendit, përcjell AP.
Sipas një deklarate të misionit amerikan në Nigeri, ndihma do të sigurojë ushqim dhe mbështetje ushqimore për njerëzit e zhvendosur nga konfliktet në zonat verilindore dhe veriperëndimore të vendit më të populluar të Afrikës.
Kriza humanitare është përshkallëzuar për shkak të pasigurisë dhe shkurtimeve në financim, duke vënë rajonin e veriut të Nigerisë përballë një “krize të paparë urie”, tha në korrik Margot van der Velden, drejtoreshë rajonale e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) për Afrikën Perëndimore. Ajo paralajmëroi se mbi 1.3 milionë persona rrezikojnë të mbeten pa ushqim dhe se rreth 150 qendra të ushqimit në shtetin Borno mund të mbyllen.
Në të njëjtin muaj, WFP pezulloi ndihmën ushqimore në shumë vende të goditura nga kriza në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, për shkak të shkurtimit të fondeve nga SHBA dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë.
Misioni amerikan tha se fondet e reja do të ndihmojnë 764,205 përfitues në veri të Nigerisë, përfshirë 41,569 gra shtatzëna dhe nëna me fëmijë që ushqehen me gji, si dhe 43,235 fëmijë që do të marrin ndihmë përmes kuponëve elektronikë ushqimorë.
Në muajt e fundit, dhuna ka shënuar rritje në rajonet veriperëndimore dhe qendrore të Nigerisë, ku përplasjet mes fermerëve për tokë dhe burime ujore janë bërë të zakonshme. Në qershor, një sulm në pjesën qendrore të vendit la të vdekur rreth 150 persona.
Ndërkohë, në verilindje vazhdon konflikti i armatosur me grupet ekstremiste, që sipas Kombeve të Bashkuara ka shkaktuar vdekjen e mbi 35,000 civilëve dhe zhvendosjen e më shumë se 2 milionë njerëzve.